Vettingu “djeg” ish-kreun e Prokurorisë së Lushnjes, Arben Dyla. KPA e shkarkon përfundimisht

Shqipëria

Vettingu “djeg” ish-kreun e Prokurorisë së Lushnjes, Arben Dyla. KPA e shkarkon përfundimisht

Më: 28 janar 2025 Në ora: 16:53
Arben Dyla

Komisioni i Posaçëm i Apelimit (KPA) shkarkoi sot nga detyra ish-kreun e Prokurorisë së Lushnjës Arben Dyla, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë të Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit (KPK) katër vite më parë, pas problematikave të gjetura në kriterin e pasurisë.

KPA njofton se trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj anëtare, shpalli vendimin që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Arben Dyla kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të vitit 2021.

KPA njoftoi se në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, në mënyrë unanime, vendosi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Arben Dyla.

KPA thekson se ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Vettingu ndaj Prokurorit

Vettingu i kryer ndaj tij gjeti shkelje të rënda në kriterin e pasurisë dhe atë të integritetit të figures ndërkohë që fakti që vulosi shkarkimin e prokurorit ishte se gjatë kohës që ushtronte profesionin e prokurorit, ai ka dhënë para me fajde.

Pikërisht një shumë prej 50 mijë euro, Dyla ja ka dhënë shtetasit me inicialet A.K, duke i caktuar një interes prej 2 për qind. KPK, e ka konsideruar këtë veprim si të rëndë, duke krijuar argumentimin se prokurori ka vepruar në formën e një subjekti bankar dhe jo në staturën e një prokurori të Republikës së Shqipërisë.

Sipas raportit vlerësues, me marrjen e shumës prej 50 mijë euro, shtetasi A.K, duhet të kthente tek prokurori Dyla një vlerë prej 1 mijë euro në muaj interes. Ndërkohë si garanci për shlyerjen e shumës, ai kishte lënë një apartament, në të cilin jetonte prokurori, çka bëri të ngriheshin dyshime për një kontratë fiktive.

Prokurori ka pohuar se këtë veprim e ka kryer për ta ndihmuar të njohurin e tij A.K i cili ishte në pamundësi reale për të marë kredi në bankë dhe për këtë arsye ai i ka dhënë hua me interes shumën prej 50 mijë euro.

Nga ana tjetër KPK ka konstatuar se shuma e dhënë hua ishte e padeklaruar nga prokurori në vitin 2016, kur është lidhur edhe kontrata e huasë.

Vettingu gjithashtu ka konstatuar se shuma prej 50 mijë euro, ishte e pajustifikuar me burimin e të ardhurave nga puna e prokurorit dhe bashkëshortes.

Dula u gjet në zyrën e Fatos Tushes kur SPAK arrestoi ish-kryebashkiakun

Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Lushnjes Arben dyla u gjet në zyrën e kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushe gjatë arrestimit të tij me urdhër të SPAK.

Policia ka kërkuar llogari se në çfarë cilësie ndodhej ai në ato momente në zyrën e kryebashkiakut të arrestuar, ç’ka ka sjellë dhe sekuestrimin e telefonave. Pas ndërhyrjes së prokurores Manjola Kajana, Dyla është lënë i lirë të shkojë nga Bashkia në zyrën e tij të Prokurorisë së Lushnjës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat