Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë-Gjirokastër) ka arrestuar në flagrancë Inspektorin D.C., punonjës policie me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Postën e Policisë Këlcyrë, për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtim të mjetit në mënyrë të parregullt”.
Ngjarja ndodhi në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet, në afërsi të fshatit Ribaj, ku Inspektori D.C., duke drejtuar një automjet tip “Citroen,” u përplas me një automjet “Nissan”.
Si pasojë, dy pasagjerë të mjetit tjetër, shtetasit D.H. (57 vjeç) dhe R.S. (59 vjeç), u lënduan lehtë. Pas marrjes së ndihmës së parë në spitalin e Përmetit, ata u larguan për në banesë.
Testi i alkoolit zbardhi shkakun e aksidentit, pasi Inspektori rezultoi në gjendje të dehur, me nivel 1.19 mg/l në testin e parë dhe 1.21 mg/l në testin e dytë.