Spiropali prezanton nismën “Kuvend-ON” në Elbasan: Angazhim i fortë i të gjithëve për integrimin në BE

Shqipëria

Spiropali prezanton nismën “Kuvend-ON” në Elbasan: Angazhim i fortë i të gjithëve për integrimin në BE

Më: 28 janar 2025 Në ora: 19:28
Spiropali prezanton nismën “Kuvend-ON” në Elbasan

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, vijoi sot takimet në kuadër të programit “Kuvendojmë për Shqipërinë” në qarkun e Elbasanit.

Në ambientet e Teatrit Skampa në qytetin e Elbasanit, Spiropali prezantoi nismën “Kuvend-ON”, një program i cili shtrihet në të gjithë vendin, si një platformë “llogaridhënieje” gjithëpërfshirëse, ku qytetarët nxiten t’i shprehin shqetësimet e tyre drejtpërdrejt kryetares së Kuvendit.

Në aktivitet morën pjesë kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, juristë, mësues, nxënës, pensionistë, të rinj dhe të reja, të cilët diskutuan me kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali për problematikat e tyre, çështje ekonomike, sociale, kulturore, për çfarë është bërë dhe çfarë duhet bërë më mirë nga Kuvendi dhe institucionet.

Gjatë fjalës së saj, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, u shpreh se debati publik i shërben demokracisë dhe në Kuvendin e Shqipërisë përcillen vazhdimisht problematikat e qytetarëve, në veçanti gjatë Javës së Gjelbër kur deputetët gjenden në zonat e tyre zgjedhore.

Kryetarja Spiropali foli edhe për integrimin në Bashkimin Evropian.

“Kuvendi ka një rol shumë të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Të gjitha strukturat parlamentare, Shërbimi për Integrimin Evropian, Komisioni për Çështjet Evropiane, komisionet e posaçme janë angazhuar maksimalisht për realizimin e prioritetit numër një të Kuvendit.

Por përmbushja e këtij objektivi kërkon angazhimin e fortë të të gjithëve për integrimin në Bashkimin Evropian.

Kuvendi ka rol madhor për këtë çështje dhe të gjithë duhet të jemi bashkë”, u shpreh Spiropali.

Gjatë bashkëbisedimit e morën fjalën të rinj dhe të reja, të cilët ngritën disa shqetësime si dhe i drejtuan pyetje kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali."

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat