Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur sërish shqetësimin për pasojat e eksodit masiv të shqiptarëve, duke e cilësuar këtë fenomen si fatkeqësinë më të madhe që ka ndodhur në vend.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku ka përshkruar realitetin e trishtë të Shqipërisë, ku qytetet dhe fshatrat po zbrazen çdo ditë, ndërsa ekonomia është bërë e papërballueshme për shumicën e qytetarëve.
“ E keni parë boshatisjen e qendrave të qyteteve? A i keni parë fshatrat që sot janë të mbushur vetëm me pensionistë? Bujqësia nuk ka më të rinj që të punojnë tokën, ndërsa bizneset e ndershme po mbyllen njëra pas tjetrës, ” u shpreh Tabaku.
Sipas deputetes demokrate, Shqipëria po përballet me një krizë të rëndë demografike dhe ekonomike, ku 30% e popullsisë është mbi moshën e pensionit, ndërsa një në tre të rinj është pa punë ose pa shkollë. Tabaku akuzoi qeverinë për ndërtimin e një sistemi ekonomik që nuk mbështet punën, sipërmarrjen dhe meritokracinë, por favorizon një pakicë të vogël të privilegjuarish.
“ Në këto 11 vite, qeveria ka ndërtuar një ekonomi të pakicës, një ekonomi të privilegjeve, duke dhënë favore fiskale, ligje speciale dhe heqje taksash për një grusht oligarkësh, ndërsa shumica e qytetarëve janë lënë në mëshirë të fatit, ” theksoi Tabaku.
Duke ofruar një zgjidhje, deputetja demokrate theksoi se Partia Demokratike ka një vizion të qartë për të ndryshuar modelin ekonomik dhe për të krijuar mundësi të barabarta për të gjithë. Ajo ftoi qytetarët që më 11 maj të mbështesin PD-në për të sjellë ndryshimin e shumëpritur.
“Ne duhet të ndryshojmë këtë model ekonomik, duhet të ndërtojmë një sistem që mbështet njerëzit e ndershëm dhe punëtorë, që i jep vlerë punës dhe sipërmarrjes. Shqipëria ka qytetarë të jashtëzakonshëm, por fatkeqësisht ata nuk shohin më një të ardhme këtu dhe po largohen. Më 11 maj, shqiptarët do të mbështesin Partinë Demokratike për të ndalur këtë katastrofë, ” përfundoi Tabaku.