Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme bëri publik sot, planin e masave për hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit të këtij viti.
Masat kryesore përfshijnë ngritjen e një Task force hetimore e cila do të ketë një strukturë qendrore që do të drejtohet nga kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, dhe grupe hetimore në të 12 qarqet e vendit, të cilat do të përbëhen nga prokurorë, hetuesë të Byrosë Kombëtare të Hetimit si dhe hetuesë financiarë.
Në fokus të veprimtarisë së tyre do të jetë parandalimi dhe hetimi i veprave penale që lidhen me përdorimin e administratës publike, infrastrukturës shtetërore, dhe përfshirjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor.
Pjesë e strategjisë së Prokurorisë së Posaçme është po ashtu, dhe ngritja e një platforme për denoncime nga qytetarët dhe institucionet, duke përfshirë një numër emergjence, raportime online dhe adresë email-i. Ndërsa një grup pune i posaçëm do të monitorojë të dhënat e bëra publike në media dhe rrjetet sociale.
Një tjetër grup pune më përbërje hetuesë të hetimit financiar dhe ekspertë të tjerë të fushës në Prokurorinë e Posaçme do të monitorojnë përdorimin e buxhetit dhe investimet publike të cilët nuk lejohen të kryhen gjatë periudhës zgjedhore.
Në njoftimin e saj Prokuroria e Posaçme shpjegoi se nën juridiksionin e saj janë veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, si dhe çdo vepër penale në kuadër të krimit zgjedhor e kryer nga grupi i strukturuar kriminal, organizata kriminale, organizata terroriste dhe banda e armatosur apo çdo vepër penale në kuadër të krimit zgjedhor e kryer nga zyrtarë të lartë publikë duke nisur nga Presidenti i Republikës deri te drejtuesë të institucioneve qendrore ose të pavarura./VOA