Kryepeshkopi Anastas Janullatos përcillet për në banesën e fundit! Krerët më të lartë të politikës dhe besimeve fetare pjesë e ceremonisë mortore

Shqipëria

Kryepeshkopi Anastas Janullatos përcillet për në banesën e fundit! Krerët më të lartë të politikës dhe besimeve fetare pjesë e ceremonisë mortore

Më: 30 janar 2025 Në ora: 12:23
Anastas Janullatos

Kryepeshkopi i ndjerë i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, përcillet sot në banesën e fundit.

Ai do të prehet në Katedralen “Ringjallja e Krishtit”, dëshirë e shprehur nga ai përpara se të ndërronte jetë.

Ceremonia mortore po mbahet në kryeqytet, teksa paraprakisht po zhvillohet mesha e përshpirtjes që do të drejtohet nga Bartolemeu, i pari i ortodoksëve në botë.

Pjesë e ceremonisë janë figura të larta të politikës shqiptare.  Në ceremoni nuk mungoi as kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe kabineti i tij prej pesë ministrash.

Për të nderuar për herë të fundit Janullatos, ka marrë pjesë një delegacion përfaqësues nga Vatikani, që do të drejtohet nga Sekretari i Shtetit, Pietro Parolin, Patriarku i Kostandinopojës, Bartolomeu, Patriarku i Izraelit Theofili i Jerusalemit, Kryepeshkopit të Greqisë Jeronimi, Patriarku i Qipros, i Aleksandrisë, i Bullgarisë, i Rumanisë, Kryepeshkopi dhe klerikë nga Polonia, drejtues të “Saint Egidio” në Itali.

Gjatë ceremonisë mortore do të mbahen fjalime nga të pranishmit, përfshirë Ramën dhe homologun e tij grek Mitsotakis.

Anastas Janullatos, lindi më 4 nëntor të vitit 1929, në Pire. Ai arriti të rindërtonte nga gërmadhat Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë që ishte shpërbërë për 23 vjet, duke zhvilluar veprimtari të shumanshme në fushat e shëndetësisë, arsimit, përkujdesjes sociale, zhvillimit rural, mjedisit dhe kulturës. Njëkohësisht u përpoq për zbutjen e kundërshtive në Ballkan.

Në vitin 2000, pas propozimit të 33 Anëtarëve të Rregullt të Akademisë së Athinës dhe shumë personaliteteve nga Shqipëria, ishte kandidat për Çmimin Nobel për Paqen.

Ka shërbyer në pozicione të shquara në organizma ndërkombëtarë, si anëtar i komitetit teologjik “Dialogu me njerëz të Besimeve dhe Ideologjive të tjera” (1975-1983). President i Komitetit për Misionarizmin dhe Ungjillëzimin Botëror (1984-91). Anëtar i Këshillit Evropian të Udhëheqësve Fetarë (2001-2012). Zëvendëspresident i Asamblesë së Kishave Evropiane (2003-09). President i Këshillit Botëror të Kishave (2006-2013).

Ka qenë nderuar me çmime dhe dekorata, vlerësime nga vende dhe Kisha Orthodhokse të ndryshme, ndër të cilat Kryqin e Madh të Urdhrit të Nderit të Republikës së Greqisë (1997), çmimin Athenagoras për të Drejtat e Njeriut (Nju Jork 2001), çmimin “për veprimtari të shquar për unitetin e Kombeve Orthodhokse”, dekoratën më të lartë të Republikës së Shqipërisë “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.

Kontributi i tij në shkencën e Historisë së Feve, dëshminë e krishterë bashkëkohore, afrimin ndërkrishterë, dialogun ndërfetar dhe bashkekzistencën paqësore të popujve dhe feve është njohur ndërkombëtarisht.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat