Është mbajtur mesha e lamtumirës për Kryepeshkopin e Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili u nda nga jeta duke lënë pas një trashëgimi fetare dhe shoqërore në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Me këtë rast, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, kanë nderuar figurën e tij.
Kryepeshkopi Anastas do të mbahet mend si një figurë e jashtëzakonshme e Ortodoksisë, një lider shpirtëror dhe një promotor i bashkëjetesës dhe mirëkuptimit mes popujve, u tha aty.
Kryeministri Rama tha se vepra e Anastasit në krye të Kishës Authoqefale, është e nderuar dhe admiruar.
“Kryepeshkopi Anastas e përfundoi detyrën e tij në shërbim të shpresëtarëve ortodoksë. Jeta e tij fort kuptimplotë. 33 vite janë shifër tejet domethënëse, ringriti ngrehinën e shkrumbuar të kishës autoqefale të Shqipërisë. Jeta e Anastasit ishte një jetë tërësisht e përmbushur përderisa përmes saj u realizua ëndrra e një fëmije. Personi i Kryepeshkopit Anastas dhe vepra e tij në krye të kishës janë qëmtuar, janë admiruar, bekuar e qortuar e deri dhe janë anatemuar. Deshi apo s’deshi mori mbi supe edhe zjarret fëmijërore të fqinjësisë sonë, Dëshmon për stoicizmin e bariut, në një kohë e botë që të shumtë janë ata që lëkunden nga fryn era. Përtej zjarreve të ndezur si rrufe në qiell të pastër andej e këtej kufirit të rihapur e të shuar si një hallkë në oborrin e përbashkët e përtej dyshimeve të lagjes ballkanike, asnjëherë se vë në dyshim autenticitetin e angazhimit baritor të kryepeshkopit”, deklaroi Rama.
Edhe kryeministri Mitsotakis e cilësoi Kryepeshkopin si një figurë të ndritur dhe një udhëheqës shpirtëror që punoi për rigjallërimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë pas rënies së komunizmit, shkruan atsh, raporton KosovaPress.
“Kryepeshkopi ishte gjithmonë një urë miqësie mes dy popujve dhe një hallkë komunikimi mes dy shteteve. Ai ndërtoi kisha, krijoi institucione arsimore dhe shëndetësore dhe i shërbeu me përulësi njerëzve. Largimi i tij lë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm,” u shpreh Mitsotakis.
Kryepeshkopi Anastas do të mbahet mend si një figurë e jashtëzakonshme e Ortodoksisë, një lider shpirtëror dhe një promotor i bashkëjetesës dhe mirëkuptimit mes popujve.
Kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë ndërroi jetë të shtunën e kaluar (25 janar), në moshën 95-vjeçare, pas një beteje disajavore në spital.