Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka reaguar pas urdhrit ekzekutiv për pezullimin e fondeve të ndihmës së huaj, ku përfshihen edhe fondet për drejtësinë shqiptare midis tyre edhe Prokuroria e Posaçme.
Përmes zyrës së shtypit, SPAK kujton se është një institucion i pavarur që mbështetet tërësisht në buxhetin e shtetit shqiptar.
SPAK sjell në vëmendje ligjin numër 115 të 2024 që parashikon buxhetin e miratuar për vitin 2025 për strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Duke shuar çdo aludim të mundshëm dhe duke konfirmuar vazhdimësinë, SPAK thekson se mbështetja e të huajve dhe e SHBA-së është tejet e rëndësishme për fuqizimin e punës së kësaj prokuroria.
Prej krijimit, SPAK dhe BKH kanë pasur mbështetjen e partnerëve ndërkombëtare përshi edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre përmes misioneve OPDAT, ICITAP, DEA dhe FBI theksohet në reagim.
Por, kjo asistencë është e orientuar kryesisht në trajnime, vizita studimore, pajisje të ndryshme teknike dhe sistemin e menaxhimit të çështjeve.
Reagimi i SPAK:
Jemi informuar për Urdhrin Ekzekutiv të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të ndaluar implementimin e programeve të asistencës ndërkombëtare. SPAK është një institucion i pavarur, i cili mbështetet tërësisht në buxhetin e shtetit. Ligji 115 i vitit 2024 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor të Republikës së Shqipërisë” parashikon edhe buxhetin e miratuar për Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2025.
Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), prej krijimit kanë pasur mbështetjen e partnerëve ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre përmes misioneve: OPDAT, ICITAP, DEA, FBI.
Mbështetja e tyre është tejet e rëndësishme për fuqizimin e punës së SPAK dhe konsiston kryesisht në trajnime, vizita studimore, pajisje të ndryshme teknike dhe sistemin e menaxhimit të çështjeve.