Gjykata e Apelit e Romës pezulloi vendimin për ndalimin e tyre, 43 emigrantët e strehuar në kampin e Gjadrit kthehen sot në Itali

Shqipëria

Gjykata e Apelit e Romës pezulloi vendimin për ndalimin e tyre, 43 emigrantët e strehuar në kampin e Gjadrit kthehen sot në Itali

Më: 1 shkurt 2025 Në ora: 08:44
Emigrantet

Emigrantët në qendrën e Gjadrit në Shqipëri do të kthehen në Itali, pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Romës të premten.

Gjyqtarët pezulluan paraburgimin e 43 shtetasve bangladeshas dhe egjiptianë të dërguar në Gjadër, duke shtyrë vendimin e radhës të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për vende të sigurta.

Efekti i këtij vendimi është se azilkërkuesit do të kthehen në Itali dhe do të lirohen.

Kthimi është planifikuar për mbrëmjen e sotme, më 1 shkurt, dhe do të bëhet me anijet e rojes bregdetare.

“Ka habi të madhe, sepse për mendimin tonë nuk ka nevojë të presim vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”, thanë burime qeveritare për ANSA, duke komentuar mosvleftësimin e ndalimit të emigrantëve që ishin dërguar në Shqipëri.

Në qendrën e Gjadrit, nga 49 emigrantët që mbërritën të martën, 43 qëndruan aty, pasi gjashtë prej tyre u transferuan sërish në Itali për shkak se ishin të mitur ose vulnerabël dhe për rrjedhojë nuk kishin të drejtë për procedurën e përshpejtuar të azilkërkimit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat