Nga sot ulet në 8.5 lekë çmimi i energjisë, kush janë kategoritë përfituese

Shqipëria

Nga sot ulet në 8.5 lekë çmimi i energjisë, kush janë kategoritë përfituese

Më: 1 shkurt 2025 Në ora: 11:30
Foto ilustrim

Duke filluar nga data e sotme, 1 shkurt deri në fundin e këtij viti, të gjitha familjet që shpenzojnë jo më tepër se 700 kWh do të paguajnë 8.5 lekë/kWh.

Numri i përfituesve është diku te 880 mijë konsumatorë, bazuar në statistikat e mbledhura, të cilët aktualisht paguajnë një faturë mujore për energjinë elektrike jo më të lartë se 8 mijë lekë.

Bordi i ERE, në vendimin e datës 8 Janar, miratoi tarifat e reja, duke përcaktuar se konsumi deri në 700 kWh/muaj do të paguhet me 8.5 lekë/kWh, pa TVSH apo 10.2 lekë/kWh, me TVSH.

ULJA E CMIMIT

Në një dalje të posaçme për mediat, kryeministri Edi Rama deklaroi se kjo është hera e parë në 35 vite që çmimi i energjisë elektrike ulet. Kryeministri shtoi se sot qeveria mund t’i shohë në sy qytetarët dhe mund t’ju thotë pa frikë se kush shpenzon deri në 700 kilovat, do paguajë më pak.

“Ndajmë me publikun një arritje që është nga më domethënëset e qeverisjes sonë, uljen e parë në historinë e këtyre 35 viteve, të çmimit të energjisë elektrike. Ky është një fakt. Ishim në humnerë ku nisëm ngjitjen në këtë pikë. Ulja është në kundërtendencë të plotë me rajonin dhe kontinentin ku jetojmë ku çmimet janë rritur dhe kërcënohen nga rritje të tjera. Kjo masë është më shumë se sa e mirëmenduar, e diskutuar gjerësisht në të gjitha nivelet me ekspertizën e brendshme dhe me ekspertizë ndërkombëtare, e bazuar në projeksionet e planit tonë strategjik për sovranitetin e plotë energjetik dhe kthimin e Shqipërisë në një eksportues neto të energjisë brenda mandatit tonë të katërt. Sigurisht duke pasur parasysh edhe parimin e shpallur botërisht të qeverisë tonë për të ndarë me qytetarët frytet e reformave të dhimbshme, frytet e përpjekjeve të mundimshme në këto vite dhe frytet e një rritje ekonomike që për 2025 e parashohim në harkun e 4% që është një shifër shumë domethënëse”, bëri me dije kreu i qeverisë duke folur me shifra konkrete për numrin e përfituesve, që sipas tij përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë.

“U deshën vite, por ne ia dolëm, t’ju shohim në sy dhe t’ju themi, sepse 90% e konsumatorëve shpenzojnë deri në fashën 700 kilovat do të kenë një ulje të energjisë. Konsumi më i lartë i vitit ishte 21 milionë kilovat orë, në natën e vitit të ri 2019. Ka qenë konsumi më i lartë. Sot 22 milionë kilovat orë është normaliteti. Ndërkohë që në pikun, shkojmë 28-29 milionë. Pikun s’e kemi më për vitin e ri siç e kishim, por edhe në periudhën e verës prej turizmit e dhjetor-janar po ashtu. Tregon se Shqipëria është një vend tjetër. Rritja e konsumit të energjisë tregon rritje të ekonomisë, rritje të kapaciteve në të gjitha shtresat për konsum të energjisë”, shtoi Rama duke garantuar se kjo masë është tërësisht e mirëmenduar dhe mbështetur në ekspertizën e brendshme dhe ndërkombëtare.

Arritja deri në këtë fazë, që ndihmon ndjeshëm ekonominë familjare, për kreun e qeverisë është fryt i përpjekjeve dhe reformave të marra në 10 vjeçarin e fundit, me qëllimin madhor që Shqipëria jo vetëm sovrane plotësisht për energjinë, por të kthehet në një fuqi eksportuese.

Aktualisht, familjet e paguanin energjinë me 9.5 lekë/kWh, pa TVSH, çka do të thotë se ulja shkon në rreth 11%. Ndërkohë që, skema e faturimit nuk ndryshon për familjet që konsumojnë mbi 700 kWh/muaj, të cilat do të vijojnë ta paguajnë të gjithë energjinë e konsumuar me çmimin aktual.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat