Partia Socialiste mbajti Kuvendin e Kongresin Rinor, me qindra të rinj nga Shqipëria të cilët mbushën sallën e Pallatit të Kongreseve në Tiranë.
Stafetën e morën ata të parët, ku dhjetëra prej tyre u ngjitën në podium dhe morën fjalën për ta portretizuar Partinë Socialiste si të vetmen parti që u kanë dhënë shansin për një angazhim politik dhe ambicien për të kandiduar për deputet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
I rrethuar nga të rinjtë, mori pjesë në këtë Kongres, edhe kryesocialisti Edi Rama i cili dha mesazhe elektorale kryesisht ndaj të rinjve.
Teksa shpalosi si objektiv prioritar në mandatin e katërt, anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, Rama u tha të rinjve se, vota për Partinë Socialiste është votë për ndryshim, tek të tjerat do gjejnë zhgënjim.
Me doza ironie foli kryesocialisti, për Partinë Demokratike por edhe për partitë e ashtuquajtura të reja, që kërkojnë ndonjë mandat mes dy partive kryesore.
Një thirrje të veçantë e kishte Rama në këtë takim, për shqiptarët në Diasporën. Ai u kërkoi të regjistrohen sa më shpejt për të votuar më 11 maj, duke u kujtuar se afati i fundit është 4 marsi, dhe për këtë, të mos kujtohen ditën e fundit.