Arrestohen 2 hajdutët e kishave në Ksamil, kryenin vjedhje edhe në banesa

Shqipëria

Arrestohen 2 hajdutët e kishave në Ksamil, kryenin vjedhje edhe në banesa

Më: 2 shkurt 2025 Në ora: 16:09
Foto ilustrim

Dy persona janë arrestuar në Ksamil, me akuzën e shkatërrimit dhe grabitjes së kishës së qytetit. Ata janë nga Saranda, dhe dyshohet se më herët kanë vjedhur edhe banesa në Finiq.

Një akt vandalizmi është regjistruar të shtunën në kishën “Ngjallja e Krishtit” në Ksamil. Dy persona kanë shkatërruar objektet që ndodheshin në tryezën e shenjtë të kishës, së bashku me ungjillin dhe disa ikona. Ngjarja ka pasur dëshmitar kujdestarin e objektit të kultit, i cili ka parë se njëri prej tyre kishte hyrë brenda mjediseve të kishës, ndërsa tjetri ruante jashtë.

Por, pasi kanë pikasur rojen e kanë goditur atë dhe më pas janë larguar me shpejtësi.  

Një ditë më pas, policia i ka arrestuar të dy, dhe njofton se janë E.Sh 39 vjeç dhe G.M 49 vjeç, të dy banorë të Sarandës. Sipas forcave të rendit, ata kishin qëllim të grabisnin lekë ose sende me vlerë brenda kishës, dhe dyshohet se më herët kanë vjedhur edhe 5 banesa në fshatrat e bashkisë Finiq.

Me referimin në Prokurori, tashmë të dy autorët do të gjykohen për veprat penale “Shkatërrimi ose dëmtimi i objekteve të kultit” dhe “Vjedhja me dhunë”, të kryera në bashkëpunim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat