Ndikimet e turizmit në ekonominë lokale në Gjirokastër

Shqipëria

Ndikimet e turizmit në ekonominë lokale në Gjirokastër

Më: 2 shkurt 2025 Në ora: 19:56
Gjirokastër

Sektori i turizmit po përmirëson ekonominë lokale të dhjetëra familjeve në Gjirokastër, një qytet që mbrohet nga UNESCO. Ekspertët e ekonomisë thonë se rritja e turizmit ka efekte pozitive dhe po ndikon në investime të reja në shtëpitë monumentale në Qendrën Historike. Megjithë zhvillimet në këtë sektor ekspertët shohin me shqetësim raktisjen e rajonit, sidomos nga të rinjtë që vijojnë të ikin në emigracion.

Asamblet arkitekturore të një qyteti historik si Gjirokastra, pasuri botërore e UNESCO-s po tërheqin çdo vit gjithnjë e më shumë vizitorë.

Sipas të dhënave bashkiake përgjatë vitit 2024 qyteti ka kapërcyer mbi 400 mijë vizitorë, ku rreth 70% e tyre kanë qenë të huaj.

Kalaja e Gjirokastërs ishte më e vizitara nga munumentet në Shqipëri me rreth 263 mijë vizitorë.

“Sektori turistik po kthehet në një gjenerues të rëndësishëm të të ardhurave jo vetëm për bizneset me profil turistik, por në aktivitetin ekonomik të rajonit”, thotë Antoneta Polo, profesore e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Gjirokastrës.

“Duke qenë se numri i turistëve është rritur ndjeshëm të ardhurat nga turizmi rriten. Janë të ardhura të cilat ndikojnë direkt dhe idirekt në jetën e qytetarëve gjirokastritë. Them ndikojnë direkt sepse të ardhurat që sigurohen nga bizneset që veprojnë në fushën e turizmit dhe nuk janë pak, rreth 250 biznese të tilla, rrisin mirëqënien e atyre individëve që merren me turizëm. Themi indirekt sepse shteti nga taksat që merr nga këto biznese turistike ofron pastaj shërbime për pjesën tjetër të popullsisë që nuk merret me turizëm”, thotë ajo.

Zonja Polo thotë më tej se zhvillimi turizmit ka rikthyer vëmendjen tek vlerat e trashëgimisë kulturore.

“Zhvillimi i turizmit nxit ruajtjen, konservimin, restaurimin, zhvillimin e objekteve që janë monumente të trashëgimisë sonë kulturore dhe natyrore. Duke ditur që Gjirokastra është qytet i UNESCO-s që në vitin 2005 kuptohet që mbrojtja e trashëgimisë sonë kulturore është e domosdoshme.”

Banorët jo vetëm në Qendrën Historike po i kthejnë shtëpitë në bujtina të vogla për të përfituar nga turizmi ku vetëm në qytet janë tani mbi 250 struktura pritëse.

“Këto janë hapa që kanë përmirësuar shpejt kapacitetin akomodues”, thotë Vasil Garo, një operator turistik.

“Gradualisht, nëse do ta trajtonim në aspektin ekonomik turizmi po kthehet në një nga motorrët kryesorë të zhvillimit të Gjirokastrës. Praktikisht po shikojmë një rritje të lartë të numrit të njësive akomoduese si hotelet apo bujtinat e vogla. Ajo që po vëmë re më tepër është zgjerimi i njësive akomoduese në skajet e qytetit të Gjirokastrës ose në zonat rurale. Praktikisht në zonat që kanë qenë më parë të paangazhuara në turizëm, tani po kthehen në njësi që ofrojnë shërbime turistike. Familje të ndryshme, po rregullojnë, po sistemojnë nga një dhomë nga dy dhoma dhe po shikojmë që ka një rritje të këtyre bizneseve.”

“Turizmi po ndihmon edhe në promovimin më të mirë të vlerave lokale të Gjirokastrës”, thotë ekspertja e ekonomisë Antoneta Polo.

“Të gjitha ato produkte që ofron rajoni i Gjirokastrës, qoftë në sektorin e kulinarisë, qoftë në sektorin e artizanatit, përpunimit të drurit, përpunimit të gurit, është një promovim që i bëhet qytetit në botë.”

Por ndërsa prurjet turistike po rriten qyteti dhe zonat përreth vijojnë të braktisen sidomos nga të rinjtë që ikin në emigracion.

Mungesa e fuqisë puntore është problem serioz dhe nuk po u mundëson operatorëve turistikë të zgjerojnë aktivitetin e tyre thotë zoti Garo.

“Ajo që shikojmë më shumë në zonat rurale dhe që e mabn këtë zhvillimmbrapa është fuqia punëtore sepse shumica e këtre zonave janë pothuajs te të pabanuara ose ku jeton mosha e tretë që përpiqen kanë dëshirën shumë të madhe për t`u aktivizuar në turizëm, por që kaq e kanë dhe hapin.”

Edhe zonja Polo e sheh emigracionin si një plagë sociale për rajonin dhe përmend përjekjet për të zbutur efektet e tij sidomos në tregun e punës.

“Individët që merren me turizëm shpesh ankohen pasi nuk gjejnë personel që të punojë në sektorin e turizmit dhe shpesh ne si universitet përpiqemi të ofrojmë ndihmën tonë me studentët për të punuar dhe dhënë përvojën e tyre dhe nga ana tjetër ato që kanë mësuar në teori t`i zbatojnë në praktikë”.

Sipas operatorëve turistikë turizmi ndikohet herë pas here negativisht nga luhatje afatshkurtra. ndërsa po bëhen përpjekje për të pasur një qytet dhe më gjerë një rajon me një turizëm gjithvjetor.

Gjirokastra u pranua në listen e pasuirve botërore në UNESCO në vitin 2005 dhe vijon të përballet me sfidat e mëdha të menaxhimit të pasurive kulturore dhe mbrojtjes së monumenteve.

Sipas ekspertëve zhvillimi i turizmit me efektet pozitive ka edhe rreziqet e tij ku më me shqetësim shihen investimet pa kriter në Qendrën Historike në dëm të ruajtjes së trashëgimisë kulturore qindravjecare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat