Detajet nga sulmi në Malësi të Madhe! Njëri prej autorëve është nipi i “Kumbarit” të Shkodrës

Shqipëria

Detajet nga sulmi në Malësi të Madhe! Njëri prej autorëve është nipi i “Kumbarit” të Shkodrës

Më: 2 shkurt 2025 Në ora: 20:07
Ilustrim

Një prej autorëve të sulmit me mbi 100 plumba që shkaktoi panik tek banorët në fshatin Gruemirë të Malësisë së Madhe është nipi i Bardhok Pllanajt, i njohur ndryshe si “Kumbari”, i cili është ekzekutuar më 4 Prill të vitit 2021.

Bëhet fjalë për 27-vjeçarin Rivaldo Zmijanej alias Rivaldo Planaj nga fshati Shtoj i Vjetër. Ai është shpallur në kërkim bashkë me 22-vjeçarin Erion Vocrri nga fshati Hoti i Ri, teksa akuzohen për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Çfarë ndodhi në fshatin Gruemirë të Malësisë së Madhe? 

 

Burime bëjnë me dije se Erion Vocrri dhe Rivaldo Zmijanej (Pllanaj) kishin shkuar me motor dhe të maskuar për të vjedhur në fshatin Gruemirë, por fillimisht kanë gjuajtur me armë ndaj kamerave të sigurisë të vendosura në banesën e familjes Kurtaj dhe më pas u larguan drejt një zone malore.

Pas disa orësh, gjatë mbrëmjes, Erion Vocrri dhe Rivaldo Zmijanej (Pllanaj) u rikthyen nga zona malore, por këtë herë u përballën me tre vëllezërit Mirsad, Besim dhe Edison Kurtaj, të cilët i pritën në rrugë me një automjet.

Ata i kanë ndaluar dhe kanë debatuar me njëri-tjetrin, por gjatë debatit Erion Vocrri dhe Rivaldo Zmijanej (Planaj) kanë gjuajtur me armë zjarri në ajër dhe janë larguar.

Tre djemtë e familjes Kurtaj u vunë në ndjekje të autorëve, e cila ka zgjatur për rreth 10 minuta dhe ka patur mbi 100 plumba të shtënë me breshëri në tokë dhe në ajër.

Në një moment, njëri prej autorëve është rrëzuar nga motori, por arriti të largohej nëpër fushat e mbjella të fshatit.

Bardhok Pllanaj, i njohur ndryshe si “Kumbari” në Shkodër, u ekzekutua në moshën 46-vjeçare ,mbrëmjen e të dielës, më 4 Prill të vitit 2021, ngjarje e cila vijon të jetë ende e pazbardhur.

Ai ka qenë duke udhëtuar me makinën e tij në fshatin Dobraç i Ri të Shkodrës, kur është ekzekutuar me breshëri kallashnikovi, teksa po shkonte drejt Malësisë së Madhe. Autorët kanë qenë me një automjet tip “Passat”, me targa FV140MT, i vjedhur 1 vit para ngjarjes në Tiranë, të cilët e dogjën pas krimit dhe brenda saj u gjetën dy armë zjarri automatikë model 56, 4 krehër dhe 18 gëzhoja

Dyshohet se pjesë e këtij atentati kanë qenë të paktën 6 persona, të cilët kanë patur punët të ndara, me synim eliminimin me çdo kusht të Bardhok Planajt. Dy prej tyre kanë qenë qitësit, dy të tjerë drejtues mjetesh, respektivisht të makinës “Passat” që u shkrumbua pas krimit dhe të makinës që largoi killerët profesionistë nga vendi krimit.

Bardhok Pllanaj ka qenë një emër i njohur për policinë. 7 vite para se të vritetj, i dyshuar si trafikant narkotikësh, ai arriti t’i shpëtonte policisë dhe u fsheh në automjetin e ish-deputetit Mark Frroku.

Ai njihej me nofkën “Kumbari” dhe është dënuar me burgim në mungesë në 2014-ën nga Gjykata e Rrethit Shkodër për tre vepra penale: “Pastrim parash”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Ndërtim pa leje”. Asokohe Gjykata e Rrethit të Shkodrës vendosi të sekuestrojë një pallat 10-katësh në pronësi të Pllanajt, e cila kapte vlerën e 2 milionë eurove.

Gjithashtu Planaj, ishte i skeduar nga policia si një person që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike. 46 vjeçari dyshohet si i përfshirë në operacionin e quajtur “laguna e Vilunit të zhvilluar më datë 30 shtator 2014, në vendin e quajtur “Rana e Hedhun” midis Lagunës së Vilunit dhe Shëngjinit, shërbimet e policisë kufitare dhe ato të Guardia di Finanza, panë të hidheshin nga një mjet lundrues, në det çanta të zeza në përmasa të mëdha. Pasi u nxorën nga deti, rezultoi se brenda thasëve kishte drogë me peshë 210 kg. Të nesërmen e asaj date, në vendin e quajtur Grykëderdhja e Bunës në Velipojë, forcat e policisë kufitare gjetën të hedhura në det edhe 15 çanta të tjera me peshë 594 kg..

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat