Me modernizimin e shoqërisë marrëdhëniet njerëzore por edhe profesionale kanë ndryshuar. Por ky nuk është rasti i mësuesit Juxhin Nebiaj, që i sheh nxënësit si fëmijët e tij.
“Babi im i cili ka qenë mësues na ka rritur gjithmonë me frymën që mësuesi është prind i dytë, gjithmonë duhet respektuar dhe duhet dashur”, shprehet mësuesi Juxhin Nebiaj.
Juxhini prej gati 8 muajsh ka nisur një jetë të re në tokën amerikane, në Boston. Por mendjen dhe zemrën i kishte lënë pas. Ndaj rikthimin e shkurtër një javor për të shuar mallin e shihte të nevojshëm.
“Dita ditës po rëndohej edhe më shumë pesha e distancës e mallit. Tani mendoj që kam bërë gjënë e duhur që kam ardhur. Nuk ma merrte mendja ky reagim prej tyre, nuk besoj se do kem më moment më aq të bukur, të paharrueshëm”, thotë më tej ai.
Ndalesa e mësuesit të muzikës në shkollën 17 shkurti e fiksuar në një video ku nxënësit e përqafonin me lot në sy, u bë virale në rrjete sociale. Efekt Raportet me ta ai ende i ruan.
“Gjithmonë jam në kontakt me ta kur kanë nevojë, më tregojnë për ndonjë gabim që mund të bëjë ndonjë prej tyre, ndajmë momente të bukura në grupin e vjetër virtual ku bëjnë pjesë prindërit dhe nxënësit”, tha Nebiaj.
Por koha e largimit të tij drejt Shteteve të Bashkuara u ndikua nga përfundimi i vitit shkollor, për të shmangur përjetimet e nxënësve për ndryshimin e mësuesit kujdestar.
“E kam marr vesh lajmin që mu aprovua viza në prill. Shkolla mbaronte në qershor dhe mendova të paktën të mbyll vitin me klasën që kam. Ishim shumë të lidhur me njëri tjetrin. Ishte tmerrësisht e vështirë për mua se ndarja nga familja. Por edhe kisha një peshë të madhe se më dukej sikur po i braktisja nxënësit, po lija në mes rrugëtimin e tyre”, shton me tej ai.
Juxhini i arsimuar në liceun ‘Jordan Misja’ dhe më tej në universitetin e arteve për pedagogji muzikore, shfaq bindjen se ky profesion do të ishte zgjedhja e tij e përhershme, kudo të jetë.
“Unë jam punësuar nga dy akademi atje që ofroj kurse piano me fëmijët amerikanë. Nuk është njësoj, raporti mësues-nxënës është ndryshe, natyra e tyre është më e ftohtë, ndoshta do kohën e saj. Por është e sigurt se unë do jem i njëjti mësues”, përfundon mësuesi Juxhin Nebiaj.
@mirandarabonebiaj #suprize#mesues #nxenes #mynephew #fyp #fyr #forjou#viral_video ♬ πρωτότυπος ήχος - Miranda_Rabo