Analisti Mentor Nazarko u shpreh për ‘Real Story’ se Berisha përpiqet të nxisë konfliktualitetin brenda PS, në mënyrë që të rrëzojë qeverinë.
Sipas tij, PS ka të drejtë të shqetësohet në këto zgjedhje për mandatin e katërt sepse SPAK ka bërë efektin e tij, partitë e vogla janë në rritje si dhe këtë vit është risia e votës së Diasporës.
“Është një besim i përgjithshëm në Shqipëri që është i lidhur edhe me kulturën dembele që thonë nuk fiton opozita, por humb qeveria. Berisha vërtet e ka shqetësimin tek besnikët, por po përpiqet të shtojë konfliktualitetin brenda PS, të nxisë intervista të personave të ndjekur penalisht apo të lobojë ndërkombëtarisht në mënyrë që të bjerë qeveria.
Ai investohet fuqishëm në këtë drejtim propagandistik. Natyrisht një qeveri, një parti që synon të marrë mandatin e 4 e pandodhur më parë, ka të drejtë të shqetësohet pavarësisht se ka përballë Berishën dhe parti të tjera që janë stërpikla të baltës së Berishës. A shqetësohet të marri shumicën absolute, ka nivele të ndryshme shqetësimi.
Unë mendoj që ka të drejtë të shqetësohet sepse veprimi spastrues i SPAK duhet t’i ketë ulur kuotat e popullaritetit. Partitë e vogla në mënyrë të ngadalshme, por të qëndrueshme në ballafaqimet elektorale janë në rritje, edhe në sondazhet optimiste kanë shifra të respektueshnme që kërcënojnë mbi 70-tën e PS. Është një risi që lidhet me Diasporën që është e pakontrolluar që nuk ndikohet nga narrativa që janë të dizenjuar për audiencë të brendshme. “