Dëshmia e Erzen Breçanit: Kam ndjekur kriminelët gjithë jetën, s’kam pse t’i përkrah

Shqipëria

Dëshmia e Erzen Breçanit: Kam ndjekur kriminelët gjithë jetën, s’kam pse t’i përkrah

Më: 4 shkurt 2025 Në ora: 07:57
Erzen Breçani

Ish-numri dy i Policisë së Tiranës dhe një nga emrat më të njohur që ka qenë pjesë e Policisë së Shtetit do të gjykohet nga Gjykata e Tiranës dhe jo nga GJKKO.

Ai ka refuzuar të gjykohet me provat që ka paraqitur SPAK-u ndaj tij, duke mos u përfshirë në kërkesën për gjykim të shkurtuar, pasi në fakt nuk u arrit dot të provohej se Breçani ka qenë pjesë e grupit kriminal që Prokuroria e Posaçme e emërtoi “Metamorfoza 2”, teksa solli në pranga dhe shpalli në kërkim disa persona nën një mori akuzash.

Dje Gjykata e Posaçme vendosi të shpallë moskompetencën dhe ta dërgojë për gjykim në Gjykatën e Tiranës dosjen penale ndaj ish-zv.drejtorit të Policisë së kryeqytetit, Erzen Breçani dhe ish-punonjëses së policisë, Jonida Babameto. Vendimi u mor pasi gjatë shqyrtimit të dosjes në seancë paraprake nuk u provua se Breçani dhe ish-zyrtarja e policisë kishin vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Të dy të pandehurit pritet të gjykohen me procedurë të zakonshme.

Gjatë seancës, i pandehuri Breçani kundërshtoi akuzat e SPAK-ut dhe tha se gjatë gjykimit do të provojë pafajësinë e tij.

“Nuk mund ta pranoj që unë të gjykohem me këto prova që janë paraqitur nga SPAK-u. Për akuzën e ‘pastrimit të parave’, as më ka shkuar në mend dhe as kam pastruar para. SPAK-u e thotë vetë që nuk kemi mundësi financiare dhe është e vërtetë, paratë për hidrocentralin ia kemi marrë vëllait që ka 25 vite me disa biznese”, – deklaroi Breçani.

DËSHMIA E ERZEN BREÇANIT

Ish-zyrtari i lartë i Policisë sonë, mes të tjerash është ndalur në Gjykatë edhe te njohja me një prej të pandehurve, Bujar Ajetin.

“Bujar Ajetin e njoh që kur ishim fëmijë, më pas edhe te RENEA. Në dijeninë time, nuk ka qenë person në kërkim nga shteti shqiptar. Unë kam ndjekur kriminelët gjithë jetën time, nuk kam pse të përkrah këtë kategori tani”, – theksoi ai.

“Prokuroria gjatë hetimit njëvjeçar ka kryer një vlerësim për HECin dhe nuk ka kryer aktin e ekspertimit të kontabilitetit, ku të provohet vepra penale dhe akuza. Rezulton se HEC-i është pronë e vëllait tim dhe e firmës ‘Breçani’, e vërtetuar si ortak i vetëm. Ka kaluar hetimi dhe është verifikuar që burimi i financimit është i saktë dhe vjen vetëm nga firma e vëllait tim. Sa i përket Bujar Ajetit, unë kam qenë pjesë e sportit të mundjes që kur isha fëmijë dhe ai ka një vendim nga Gjykata Shqiptare, ku është parashkruar dënimi i tij. Ai ka pasaportën tashmë për nëntë vite, por nuk është kryer asnjë operacion për arrestimin e tij.

Ka kaluar kufirin me këtë pasaportë disa herë dhe ka qenë i shoqëruar disa herë në Komisariatin e Policisë. Po ashtu, pa qenë në kërkim, ai nuk do të kishte mundur të dilte jashtë. Ka qenë objekt i OFL-së, ku ka firmosur pas gjithë këtyre veprimeve. Kam kërkuar, a ka urdhër nga DPPSH për arrestimin e tij që të ketë dështuar? Përveç atyre që ke shkruar ti, edhe këto janë të vërteta që duhet të vazhdojë gjykimi i zakonshëm”, – ka thënë mes të tjerash Breçani, ndërsa tashmë ai bashkë me një tjetër ish-punonjëse të policisë do të gjykohen në Gjykatën e Tiranës, në një gjykim të zakonshëm.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat