Bashkia Tiranë ka shpallur fituesit e fazës së parë të programit të subvencionimit të kredive të lehtësuara nga shteti.
Sipas njoftimit zyrtar, 2,337 aplikime janë shpallur fituese në këtë fazë, ndërsa 954 aplikime nuk kanë kaluar kriteret e përcaktuara.
Të gjithë qytetarët e shpallur fitues duhet të plotësojnë formularin e strehimit elektronikisht në portalin e-Albania, duke bashkëngjitur dokumentacionin e kërkuar.
Dokumentet mund të dorëzohen nga data 4 shkurt deri më 4 mars 2025, pranë Sektorit të Informimit dhe Shërbimeve për Qytetarët në Bashkinë Tiranë, ose me postë, në adresën zyrtare të Bashkisë Tiranë.
Gjithashtu, për aplikimet brenda së njëjtës certifikatë familjare, dokumentacioni duhet të dorëzohet vetëm nga një prej aplikantëve për të gjithë anëtarët madhorë të familjes.
Që pas ardhjes së Erion Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës, programi i “Subvencionimit të interesave të kredisë”, u rihap sërish pasi ishte mbyllur nga administrata e mëparshme.
Ky program ka në fokus përmirësimin e kushteve të jetesës së familjeve dhe çifteve të reja, të cilat nuk kanë aftësi ekonomike të përballojnë ofertën e tregut të lirë të banesave ose atë të kredive hipotekore në treg. Qëllimi i këtij projekti është mbështetja e familjeve dhe çifteve të reja në blerjen e shtëpive, me synim përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre.