Komisioneri Celibashi: Votimi nga jashtë vendit, i sigurtë dhe i garantuar

Shqipëria

Komisioneri Celibashi: Votimi nga jashtë vendit, i sigurtë dhe i garantuar

Më: 4 shkurt 2025 Në ora: 17:46
Celibashi

Në Shqipëri administrata zgjedhore po shton përgatitjet që të garantojë mbarëvajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i ka kërkuar Kuvendit që t’u ndajë sa më parë buxhetin elektoral partive politike. Ai tha sot se u ka kërkuar partive zbatimin e afatave ligjore për listat e komisionerëve dhe të kandidatëve për deputetë. Për herë të parë në zgjedhje do të marrin pjesë edhe shqiptarët nga jashtë vendit, duke votur me postë nga shtetet ku jetojnë. Një numër i konsiderueshëm i tyre tashmë kanë aplikuar pranë KQZ-së, ndërsa pjesa tjetër kanë edhe një muaj kohë për të dërguar kërkesën në platformën përkatëse të KQZ-së.

Shqipëria ka hyrë praktikisht në periudhë zgjedhore, tha sot komisioneri Ilirjan Celibashi, ndërsa pas një jave konstituohen komisionet zonale (KZAZ) me anëtarë të propozuar nga partitë më të mëdha.

Partitë ende nuk kanë sjellë propozime për anëtarët e KZAZ-ve, tha ai, ndërsa theksoi se votim elektronik nuk do të ketë në asnjë qark, përveç në disa qendra pilot.

Regjistrimi i votuesve nga jashtë ka vazhduar me ritme të kënaqshme, vlerësoi komisioneri Celibashi: mesatarisht 5 mijë e 800 aplikime dhe 3 mijë e 400 miratime në ditë.

Deri tani, mbi 116 mijë zgjedhës nga jashtë që kanë sjellë kërkesa për votim, dhe afro 87 mijë prej tyre janë miratuar.

Zoti Celibashi nuk pranoi të komentonte kërkesat e opozitës që të votojnë edhe emigrantë me dokumenta identifikimi të shteteve të tjerë, por tha se kjo mbetet çështje e bisedimeve të dy partive kryesore politike.

“Nëse ato bien dakord për të ndryshuar elementë të ndryshëm të Kodit Zgjedhor, ne kemi detyrimin për t’i zbatuar ato. Por komente mbi propozime të ndryshme nuk mund të japim, sidomos tani kur kemi hyrë në periudhë zgjedhore”, tha Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.

Ai i bëri thirrje Kuvendit që të miratojë sa më parë buxhetin e partive politike që do të marrin pjesë në zgjedhje, për ta përdorur gjatë fushatës, ndërsa kujtoi që në zgjedhjet e kaluara ky buxhet iu dha partive pak ditë para fushatës, madje edhe pasi ajo kishte nisur fushata.

Shtetet me më shumë aplikime të votuesve nga jashtë dhe me kërkesa të plotësuara janë Italia, Greqia dhe Gjermania, ndërsa afati i aplikimit nga jashtë përfundon më 4 mars.

Zoti Celibashi tha se Platforma PER është tepër e sigurtë sa i takon të dhënave personale dhe nga aty nuk del asnjë e dhënë personale në shërbim të të tretëve. Ai tha se platforma PER e regjistrimit të votuesve nga jashtë njeh vetëm dokumentet shqiptare të identifikimit.

“Platforma PER është ndërtuar për të identifikuar shtetasit përmes mjeteve të identifikuar nga Republika e Shqipërisë. Nëse palët bien dakord që identifikimi mund dhe duhet të bëhet edhe nëpërmjet dokumentave të tjera, do të duhet të zhvillohet ky sistem, ose duhet bërë një sistem tjetër, këtë nuk di ta them nga ana teknike tani”, tha zoti Celibashi.

KQZ sheh si ndër çështjet më të rëndësishme aktualisht buxhetimin e shërbimeve postare për fletët e votimit nga jashtë vendit, për të cilat qeveria ka dhënë garanci se do ta mbulojë sado që jenë votuesit, si dhe afatin e regjistrimit të subjekteve zgjedhore. Modeli i fletës së votimit do të përgatitet para se të dalin emrat e kandidatëve, dhe sapo ata të miratohen nga partitë, do të futen nëpër tabela.

Më 24 mars përfundon procesi i paraqitjes së kandidatëve për deputetë dhe është koha kur do të prodhohen fletët e votimit për t’i postuar jashtë. Komisioneri Celibashi u bëri thirrje partive që të nxitin edhe më tej shqiptarët nga jashtë të regjistrohen për të votuar, por theksoi se aplikimin në sistem duhet ta bëjë vet qytetari.

Kjo është hera e parë që shqiptarëve u jepet mundësia të votojnë nga jashtë vendit prej vendeve ku banojnë. Jozyrtarisht mendohet se ata përbëjnë afro një të tretën e numrit të përgjithshëm të zgjedhësve, dhe më parë mospjesëmarrja e tyre nga jashtë në zgjedhje figuronte në statistika si pjesëmarrje e ulët e qytetarëve në votime brenda vendit.

Zgjedhjet edhe këtë radhë do të mbahen me Kodin Zgjedhor, ku nuk janë përfshirë rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët kanë kërkuar të ulet angazhimi bipartizan në komisione zgjedhore i militantave partiakë si dhe të frenohet përdorimi i burimeve shtetërore për fushata zgjedhore të partisë në pushtet./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat