Berisha shtrëngoi duart me kandidatin për kancelar të Gjermanisë! Baçi: Non gratën e SHBA-së e Britanisë nuk e rrëzon CDU-ja

Shqipëria

Berisha shtrëngoi duart me kandidatin për kancelar të Gjermanisë! Baçi: Non gratën e SHBA-së e Britanisë nuk e rrëzon CDU-ja

Më: 4 shkurt 2025 Në ora: 17:56
Analisti Agim Baçi

Analisti Agim Baçi, i ftuar në studion e News 24 ka komentuar faktin që kreu i PD Sali Berisha shtrëngoi duart me kandidatin për kancelar të Gjermanisë nga radhët e CDU-së Friedrich Metz.

Baçi u shpreh se Berisha ishte në një Kongres partie, ku çdokush mund ta takojë Merz-in. Sipas tij, non gratën e Berishës, që e ka vendosur SHBA dhe Britania e Madhe, nuk e rrëzon CDU-ja.

“Entuziazmi i Alizotit nuk e di se ku mbështetet. Non gratën e SHBA-së dhe të Britanisë nuk e rrëzon CDU-ja. Merz mund të takojë kushdo në Kongres, çështja është që a të vjen ambasador tek zyra. Për ne SHBA është shumë e rëndësishme. Po ta shikojmë, Sali Berisha që thotë se është sovranist, sërish ka entuziazëm tek ai kur takon Mitsotakis, kur takon Merz, kur takon disa deputetë konservatorë britanikë, sepse Berisha e di që ndërkombëtarët luajnë rol në vendin tonë. Sa i përket primareve, do ishin mirë nëse bëhen saktë, por Berisha ka treguar që vendos në poste kyçe njerëzit e tij”, tha Baçi.

Duke folur për votën e diasporës, Baçi tha se vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë është e panjohur.

“Vota e diasporës është e panjohur e madhe. Si herë e parë, tregon interes të mirë. Disa që kanë lënë shtetësinë, mund të jenë detyruar, pasi ka raste prsh në Gjermani, duhet që të braktisësh një shtetasi që të marrësh shtetësinë gjermane. Nuk e kuptoj sesi qeveria mund të kërkojë votën, kur sondazhet tregojnë se pjesa më e madhe e shqiptarëve sot duan të largohen nga Shqipëria. Sondazhet tregojnë se një pjesë e madhe e shqiptarëve e shikojnë të ardhmen jashtë vendit. Të tre palët e kanë bërë fushatën agresive edhe në diasporë”, u shpreh Baçi.

Duke folur për protestën e 8 Shkurtit, Baçi nënvizoi se e vetmja shpresë është që tubimet të jenë të ngjashme me demonstratat në Beograd.

“PD dhe Partia e Lirisë janë bashkë, mirëkuptohet. Protesta është për të treguar se PD mund të mbledhë njerëz. E vetmja shpresë që të tronditet qeveria është që të ketë protesta si në Beograd. Kjo protestë është presion ndaj forcave të tjera politike, për t’ju thënë se partia kryesore në opozitë është Partia Demokratike”, tha Baçi.

Më tej, Baçi vlerësoi se SPAK është një institucion që ka punuar dhe ka goditur edhe majtas, edhe djathtas.

“Drejtësia është një pushtet i pavarur. Edi Rama thotë se PS e ka sjellë reformën në drejtësi. Por, nuk është lumturi që janë nën hetim disa funksionarë të lartë të Partisë Socialiste. Rama kur del duhet të thotë se çfarë kanë bërë zyrat hetimore në institucione. Edi Rama duhet të thotë që qeveria e ka kapur ndonjë shkelës. Rama do ishte krenar, nëse do kishte denoncuar Ahmetajn, Beqajn. Hetimet i ka bërë SPAK. Edi Rama ka jondershmëri politike. Dosjet kanë dalë nga përgjimet ndërkombëtare, dosjet i ka dërguar opozita. Rama ka mbrojtur këdo që është akuzuar”, përfundoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat