Në Komisionin e Posaçëm Kundër Dezinformimit u prezantua sot draftstrategjia kombëtare kundër ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit në Shqipëri, për periudhën 2025-2030.
Në fjalën e tij, gjeneral Nazmi Cahani u ndal te forcimi dhe mbrojtja e Sigurisë Kombëtare nga ndërhyrjet e huaja keqdashëse dhe dezinformimi, përmes një qasjeje të koordinuar dhe efektive për të përballuar sfidat në ruajtjen e stabilitetit dhe integritetit gjatë proceseve demokratike të vendit.
“Ne mendojmë se dezinformimi, manipulimi i informacionit dhe ndërhyrjet e huaja keqdashëse në proceset demokratike janë pjesë e kërcënimeve hibride, duke synuar minimin e besimit në institucionet themelore të shtetit dhe funksionimin e shoqërisë demokratike. Në dy dokumentet themelore të NATO-s, theksohet se vendet e Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria, përballen me kërcënime dhe sfida mes të cilave ndërhyrje keqdashëse të palëve të treta,” u shpreh gjenerali.
“Kompasi strategjik i BE-së thekson se siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor nuk janë ende të garantuara, për shkak të ndërhyrjes nga fushat e huaja në përpunimin e informacionit. Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, me orientim euroatlantik dhe kandidat për në BE, përballet me këto kërcënime dhe nuk është vend imun,” tha Cahani.
Sipas tij, ligji i Sigurisë Kombëtare rregullon kornizën strategjike dhe institucionale për garantimin e sigurisë kombëtare për të mbrojtur interesat e vendit dhe të qytetarëve, si dhe për forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
“Në strategji theksohet se politika e jashtme në Shqipëri është një nga instrumentet më të rëndësishëm në Sigurinë Kombëtare. Gama e re e kërcënimeve, duke përfshirë dezinformimin dhe ndërhyrjet e huaja keqdashëse, nuk mund të përballohen vetëm me mjete ushtarake, prandaj në cilësinë e dyfishtë si vend anëtar i NATO-së dhe vend kandidat për në BE, Shqipëria synon intensifikimin e bashkëpunimit me NATO-n dhe BE-në për përballimin e tyre,” pohoi ai.
Në fjalën e tij, gjeneral Cahani theksoi se Shqipëria mbetet e angazhuar edhe në forcimin e sigurisë kibernetike, si fushën e pestë të luftës. “Së bashku me tokën, detin, ajrin, hapësirën dhe siguria kibernetike sigurohet falë bashkëpunimit me partnerët rajonalë dhe globalë”.