Sot në Luksemburg u arrestua shtetasi shqiptar Edison Pula, i kërkuar për vepra të rënda penale në Shqipëri, ndër të tjera edhe për vrasje me dashje.
Pula është anëtar i bandës së Niklës. Ai është akuzuar për atentatin me eksploziv ndaj Gentjan Bejtjes në Larushk dhe për një sërë veprash të tjera penale.
Njoftimi:
Policia e Shtetit
Finalizohet një tjetër operacion, në koordinim me partnerët, për kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht.
Operacioni “Together”, në pranga 1 shtetas i dënuar me 14 vjet burgim, për disa vepra penale të rënda, dhe 1 shtetas i akuzuar nga autoritetet franceze.
Si rezultat i sigurimit të informacioneve nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale (FAST Albania), mbi vendndodhjen e një shtetasi të dënuar në Shqipëri, për disa vepra penale të rënda, si dhe i shkëmbimit të këtyre informacioneve me homologët e FAST Luksemburgut, nëpërmjet koordinimit të rrjetit ENFAST, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Together”.
Si rezultat i këtij operacioni, u lokalizua dhe u vu në pranga shtetasi Edison Pula, 30 vjeç, i lindur në Krujë, i dënuar me 14 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Vjedhja me dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”.
Më tej, gjatë këtij operacioni, në bazë të një urdhër arresti europian, të lëshuar nga autoritetet franceze, u vu në pranga shtetasi A. S., 31 vjeç.
Zyrat homologe të Interpolit po vijojnë bashkëpunimin, për finalizimin e procedurave të ekstradimit të këtyre shtetasve.