Gjykata e Durrësit dënon me 10 vite burg Xhemal Lokën. Gruaja bëri vetëvrasje, ndërsa Gjykata në vendimin e saj thekson se ajo dhunohej nga bashkëshorti.
Gjithashtu 41-vjeçarja Bedrie Loka bullizohej me fyerje e ofendime të rënda në një profil fals në Tik Tok të hapur në emër të saj,
Në përfundim të gjykimit, Gjykata me Vendimin Nr. 7499, datë 19.12.2024, ka Vendosur:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Xh.L për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 7 (shtatë) vite burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Xh. L.për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 paragrafi i katërt i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.
3. Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimi i dënimeve në një të vetëm, duke e dënuar përfundimisht me 10 (dhjetë) vite burgim.
4. Vuajtia e dënimit të filloj nga data e arrestimit të tij dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
5. Në zbatim të nenit 190 pika 1 gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale provat materiale, të sekuestruara t’i kthehen personit që i takojnë, pasi vendimi të marrë formë të prerë.
6. Në zbatim të nenit 190 pika 1 gërma “a” të Kodit të Procedurës Penale provat materiale, të sekuestruara me procesverbal-Një armë zjarri automatike PPS me nr.89-0579; të kaloj në favor të shtetit pasi vendimi të marrë formë të prerë.
7. Në zbatim të nenit 190 pika 1 gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale provat materiale, të sekuestruara me procesverbal vlerat monetare 2800 (dymijë e tetëqind) Euro dhe 27’000 (njëzet e shtatë mijë) lekë, t’i kthehen personit që i takojnë, pasi vendimi të marrë formë të prerë.
8. Shpenzimet procedurale gjatë hetimeve paraprake si dhe ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.
9. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar. U shpall në Durrës, sot më datë 19.12.2024.