Ambasadori i OSBE në Shqipëri, Michel Tarran, thekson se zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri do të jenë një moment i rëndësishëm për demokracinë, pasi qytetarët zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Kuvend për katër vitet e ardhshme.
Nëpërmjet një reagimi në kuadër të Ditës Botërore të Zgjedhjeve, ambasadori Tarran thekson se këto zgjedhje janë historike për vendin tonë edhe për faktin se për herë të parë qytetarët shqiptarë me të drejtë vote, që nuk jetojnë në Shqipëri, do të kenë mundësinë të votojnë nga jashtë vendit.
Për këtë arsye, ai bën apel që të gjithë shqiptarët në diasporë të ushtrojnë këtë të drejtë duke u regjistruar deri më 4 mars sipas udhëzimeve të KQZ.
Mesazhi:
👉Sot, në Ditën Botërore të Zgjedhjeve, dëshirojmë të risjellim në vëmendje rëndësinë e proceseve demokratike, të drejtën themelore për të votuar dhe fuqinë e zërit të qytetarëve në formësimin e së ardhmes së Shqipërisë.
🪧Zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit do të jenë një moment i rëndësishëm për demokracinë në Shqipëri, pasi qytetarët zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Kuvend për katër vitet e ardhshme. Pjesëmarrja aktive në zgjedhje forcon besimin e publikut në institucionet dhe proceset demokratike, duke siguruar që çdo zë të ketë rëndësi. Kontrolloni regjistrimin tuaj si zgjedhës në ekstraktin e listës së zgjedhësve pranë Zyrës së Gjendjes Civile të njësisë suaj administrative, në faqen/aplikacionin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ose nëpërmjet portalit e-Albania.
🏛️Këto zgjedhje janë historike edhe për faktin se, për herë të parë, qytetarët shqiptarë me të drejtë vote, që nuk jetojnë në Shqipëri, do të kenë mundësinë të votojnë nga jashtë vendit. Për ta ushtruar si duhet këtë të drejtë dhe për të ndihmuar në formësimin e së ardhmes së Shqipërisë, i nxitim të gjithë zgjedhësit me të drejtë vote jashtë vendit të regjistrohen deri më 4 mars, 2025 sipas udhëzimeve të KQZ-së.
🧑👧Vlerësojmë, në mënyrë të veçantë, rolin thelbësor të të rinjve në ndërtimin e një demokracie më të fortë. Informohuni, përfshihuni dhe bëjeni zërin tuaj të dëgjohet, duke votuar! Në bashkëpunim të ngushtë me KQZ-në, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbetet e përkushtuar për mbështetjen e pjesëmarrjes sa më të gjerë të të rinjve në zgjedhje dhe për promovimin e një procesi zgjedhor gjithëpërfshirës.
📣Vota juaj ka rëndësi! Zëri juaj i jep formë së ardhmes!