Rritja e çmimeve të ushqimeve, thirrje për bojkot të supermarketeve

Shqipëria

Rritja e çmimeve të ushqimeve, thirrje për bojkot të supermarketeve

Më: 6 shkurt 2025 Në ora: 16:54
Foto ilustrim

Bojkotit të supermarketeve në Kroaci, më pas në Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut si dhe Kosovë më datë 10 shkurt, i është bashkuar dhe Shqipëria. Rritja e çmimeve dhe pagat e ulëta janë dy arsyet kryesore, që kanë ndikuar në ekonominë e familjeve shqiptare.

“Shqipëria është i vetmi vend në botë që çmimet ngrihen dhe nuk ulen asnjëherë në nivelet e mëparshme. Nëse shohim të dhënat e INSAT produktet e importit nuk kanë pasur rritje, ndërsa nëse shohim shifra të tjera, ka rritje çdo muaj…Rrjetet e marketeve kanë gjetur mundësinë të abuzojë me çmimet duke qenë se jemi ndër vendet më të varfra”, thotë Granit Sokolaj, drejtor ekzekutiv i Qendra Alert.

Edhe pse jemi në një treg të lirë, ku gjithçka shkon në bazë të kërkesë-ofertës, përsëri mungesa e kontrolleve nga ana e institucioneve, ka nxitur supermarketet por dhe tregjet e hapura, të abuzojnë me çmimet.

“Institucionet janë, por është neglizhenca, që mund të mbajnë çmimet në kontroll. Tregu është i lirë, kërkese-ofertë, por kur të gjitha rrjetet e marketeve kanë rritje masive, sigurisht që konsumatorët nuk kanë ku të drejtohen tjetër… Po i biem gomarit, në thonjëza, për të dëgjuar samari, pra institucionet publike”, shprehet Sokolaj.

Nëse do të ketë ndërgjegjësim nga qytetarët, rezultatet e bojkotit do të ndihen menjëherë. Në Drejtorinë e Tatimeve, për shkak të sistemit të fiskalizimit, të dhënat për shitje shkojnë në kohë reale, duke bërë një krahasim para datës 16 dhe pas saj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat