Në maternitetin e Elbasanit vit pas viti po bie numri i lindjeve. Bebet që vijnë në jetë, krahasuar me 10 vite më parë, kanë rënë me 60%, ndërsa specialistët theksojnë se faktorët që kanë ndikuar janë kompleks.
Numri i bebeve që vijnë në jetë, ulet vit pas viti në Shqipëri. Në Maternitetin e Elbasanit, shifrat tregojnë se ulja e lindshmërisë është në nivele rekord. Shkaqet janë të shumta, por sipas sociologëve, trendi në rënie ndikohet nga largimi i të rinjve dhe kostot e larta të jetesës.
“Ashtu si në të gjithë vendin edhe në Elbasan lindshmëria po bie me ritme të shpejta. Gjatë vitit 2024 në spitalin e Elbasanit kanë ardhur në jetë 1020 foshnje, shifër kjo e ulet krahasuar me vite më parë. Shkaqet sipas mjekëve janë të ndryshme, por në thelb është emigracioni i të rinjve. Ndërkohë që krahasuar me 10 vitet e fundit nëse ne Elbasan vinin në jetë 5 deri ne 6 bebe, në këtë periudhe theksojnë mjeket mund të ketë një ose dy lindje në ditë.”
“Është bërë trend tashmë prej shumë vitesh që numri i lindjeve tek ne ka ardhur në ulje si në të gjithë Shqipërinë. Ketë vit kemi qenë me 30 lindje më pak me rreth 1020 lindje sivjet, vitin e kaluar kemi pas 1050 lindje, është në ulje. Ne vitet që kanë kaluar kemi pas ulje edhe me të mëdhaja nga 100 – 120 lindje, këto 10 vitet e fundit kemi pas gati 100 lindje më pak vit për vit”, tha Olgert Alla – shef i repartit obstetrik-gjinekologjik në Elbasan.
Sipas specialistëve, shkaqet e kësaj situate janë komplekse dhe nuk mund t’i faturohet vetëm emigracionit.
“Besoj që shkaqet janë të ndryshme, por kryesisht me sa shikojmë është më shumë emigracioni i rinisë. Gjithashtu kemi edhe uljen e numrit të fëmijëve në çifte në familje. Dikur kemi pasur familje me 3 -4 fëmijë, tani kemi familje me 1 maksimumi 2”,-tha Olgert Alla – shef i repartit obstetrik-gjinekologjik në Elbasan.
Në pesë vitet e fundit lindjet në Shqipëri u ulën me 22.2%.
Viti 2023 shënoi rekord në rënien e lindshmërisë në vend, ku lindën 22.210 bebe, niveli më i ulët që nga 1934.