Eksperti i Ekonomisë, Arben Malaj ishte këtë të enjte i ftuar në “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania ku tha se në Shqipëri kanë filluar të hidhen idetë e para për krijimin e një republike presidenciale.
Sipas tij në këtë moment do të ketë përgjegjësi të madhe edhe Partia Demokratike, pasi nëse ajo nuk arrin të krijojë një shumicë parandaluese, nuk do të mund të akuzojë më mazhorancën për ndryshimet kushtetuese.
“Unë besoj se në Shqipëri kanë filluar të hidhen idetë e para a vlen ky model qeverisje apo do jetë më i leverdisshëm një model presidencial, siç e ka Franca, Turqia dhe vende të tjera.
Këtu vjen përgjegjësia politike e PD-së sepse është opozitë, por duhet të ketë një shumicë bllokuese, nëse opozita nuk arrin të ketë një shumicë bllokuese për ndryshimet kushtetuese, ajo nuk mund të akuzojë mazhorancën, por është bashkëfajtore”,-tha Malaj.