Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka deklaruar se shqiptarët janë bërë lojtarë të rëndësishëm në tregun e drogës në Amerikën Latine, duke depërtuar atje falë lidhjeve me grupet mafioze italiane si Camorra dhe ‘Ndrangheta. Sipas tij, mbi 3 mijë shqiptarë veprojnë në vende si Ekuadori, Kolumbia, Brazili dhe Bolivia, ku bashkëpunojnë me kartelet e drogës.
Karamuço theksoi gjithashtu se përveç trafikut të drogës, shqiptarët po përfshihen gjithnjë e më shumë edhe në trafikimin e qenieve njerëzore drejt SHBA-së. Ai përmendi praninë e grupeve shqiptare, veçanërisht nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, në disa kampe në Meksikë, ku organizojnë kalimin ilegal të emigrantëve drejt Amerikës së Veriut me pasaporta të falsifikuara.
Sipas tij, shqiptarët fillimisht vepruan si shpërndarës të kokainës në Europë, por me kalimin e viteve kanë fituar besim dhe janë bërë pjesë e rrjeteve më të mëdha kriminale, duke krijuar korridore të trafikut që lidhin Europën, Amerikën Latine dhe SHBA-në.
‘Ne filluam në fillim të viteve ’90. Eksperimentet i bëmë me heroinën nga linja e Lindjes. Por për shkak se shumica e emigrantëve ishin në Itali, sidomos familjet e mëdha të Camorras apo Ndraghetas, i orientuan drejt tregut të kokainës. Ky treg filloi nga portet për t’i marrë nën kontroll dhe më pas tejkaluan Atlantikun se fituan besim. Kështu u rritën. Në fillim kishin rolin e shpërndarësit, më pas me kalimin e viteve u rritën dhe pasuruan. Lejen e kanë marrë nga italianët. Me lejen e italianëve edhe në Amerikën latine kanë shkuar. Shikojmë bashkëpunimi italiano-shqiptar i çoi këta në Amerikën Latine. Nuk janë ende të pavarur. Edhe kur shkojnë takohen me kartelet që hyjnë në tregti e pazare, ata kanë një njeri që i telefonon më përpara. Ngjan sikur janë vetëm, gati 3 mijë e ca veta që lëvizin nga Ekuadori në Kolumbi. Edhe në Bolivi. Edhe Brazili ka një pjesë. Ne kemi shqiptarë në Brazil që pak përmenden edhe aty. Kemi edhe në Meksikë për shkak se personat që kanë qenë aty shikojnë trafikimin e qenieve njerëzore. Kjo punë po del tani. Këto grupe të organizuara të lidhura me kartelet dhe për shkak të shkëmbimeve të tyre që nuk i bëjnë vetëm me Evropën por edhe me Amerikën, kjo është risi. Ne organizojmë edhe linjat e trafikimit në bashkëpunim me kartelet edhe në drejtim të Amerikës së Veriut, na ka bërë që të kemi edhe një aktivitet dytësor për korridore të tëra që deri dje kanë funksionuar shumë mirë të trafikimit të qenieve njerëzore nga Evropa drejt Amerikës së Veriut. Iu bëjnë pasaporta të falsifikuara, marrin paratë, dhe i fusin në SHBA. Në disa prej zonave të veriut të Meksikës edhe në kampe kemi shqiptarë të Kosovës dhe të MV’, tha Karamuço.