Berisha: Ftoj partitë opozitare të na bashkohen në frontin kundër të keqes

Shqipëria

Berisha: Ftoj partitë opozitare të na bashkohen në frontin kundër të keqes

Më: 7 shkurt 2025 Në ora: 12:44
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha mori pjesë këtë të premte në një takim të Federatës së Partive Opozitare. Në fjalën e tij Berisha i bëri thirrje të gjitha partive që janë kundër qeverisë që të bashkohen në një front të vetëm kundër të keqes.

Kryedemokrati tha se “ky takim i rëndësishëm vjen një ditë përpara protestës së 8 janarit, në të cilën populli opozitar do t’i dëshmojë shqiptarëve dhe botës se Edi Rama përfaqëson sot kreun e narkoshtetit”.

“Ky takim i Federatës opozitare vjen në prag të protestës së madhe të opozitës, në të cilën populli opozitar do t’i dëshmojë shqiptarëve dhe botës se Edi Rama përfaqëson sot kreun e narkoshtetit dhe me dëshmitë tronditëse të bazuara në dokumente autentike origjinale dhe prani fizike të Arben Ahmetajt, ai është sot një delinkuent madhor në krye të një organizate kriminale, të cilën ne e kemi damkosur me kohë.

Por vetëkuptohet kur ato dëshmi vijnë me dokumente nga bashkëpunëtori i tij më i ngushtë në 10 vite, ato janë prova të pakundërshtueshme të inkriminimit të thellë të Edi Ramës.

Por ky takim dhe kjo mbledhje është shumë e rëndësishme për konsolidimin e mëtejshëm të frontit opozitar kundër kësaj të keqe të pakrahasueshme me ndonjë të keqe tjetër që nga diktatura hoxhiste gjer sot.

Bashkimi i të gjithë potencialeve opozitare kundër Edi Ramës, kundër Rilindjes që është sot sinonim i krimit, sinonim i një regjimi që në fjalorin politik të të gjitha kohërave, ka një term: regjimit të kakistokracisë që përmbledh të gjitha të këqijat që mund t’i bëjë një pushtet një vendi.

Dhe në fakt, një pushtet që përzë nga vatrat e tyre 40-45 përqind të popullit në 10 vite, është më i keqi që ky popull ka njohur në historinë e tij.

Koha është për një front sa më të gjerë opozitar, ndaj dhe unë ftoj të gjitha forcat politike që e ndjejnë veten opozitë, e konsiderojnë veten opozitë, pavarësisht nga çdo kundërshti që mund të kenë njëri me tjetrin, të bashkohen në këtë front për t’u përballur me sukses me këtë të keqe që kemi përpara.

Sepse ky bashkim ka një rëndësi vendimtare.

Ka prej tyre që kanë shumë vërejtje për këtë forcë apo atë forcë, kanë vërejtje për PD-në, normale janë këto, por problemi është se nuk ka rrugë tjetër përveç bashkimit për t’u përballur me këtë të keqe që kemi përpara.

Dhe të gjitha variantet e tjera, vetëm sa pjesëtojnë fuqinë e opozitës”, tha Berisha.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat