Balluku në Lushnje: Mbështetje për fermerët dhe pikat e grumbullimit

Shqipëria

Balluku në Lushnje: Mbështetje për fermerët dhe pikat e grumbullimit

Më: 7 shkurt 2025 Në ora: 15:51
Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku

Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, ishte në Lushnje ku vizitoi një prej pikave të grumbullimit produktet e së cilës janë të destinuara për tregun europian. Kjo pikë grumbullimi, operon në tregun shqiptar prej shumë vitesh, ndërsa ka lidhur kontratat me fermerë, jo vetëm të zonës së Myzeqesë, por në të gjithë Shqipërinë.

Teksa u njoh me ecurinë e punës, ku pavarësisht stinës së dimrit Shqipëria po vijon të eksportojë në sasi të mëdha produkte të ndryshme bujqësore, Balluku e vuri theksin tek zhvillimi i sektorit të bujqësisë gjatë këtyre viteve duke shtuar se ka ende shumë punë për t’ju gjendur pranë fermerëve duke lehtësuar atyre punën e tyre.

“Ka shumë punë për t’u bërë akoma dhe jemi të gjithë të qartë për këtë, duke nisur nga kërkesat që kanë bujqit që janë në sera apo në ara, që ka të bëjë me vaditjen, ka të bëjë me kanalizimet dhe gjithçka tjetër dhe deri tek pikat e grumbullimit dhe të gjithë facilitetet që duhen krijuar përsa i përket eksporteve, kohës së pritjeve në dogana, kohës së pritjeve në pikat e kalimit dhe gjithçka tjetër”, tha Balluku.

Zëvendëskryeministrja, shtoi më tej se “Myzeqeja padyshim është hambari i Shqipërisë dhe këtu arrin të shikosh madhështinë e bujqësisë dhe sado që ta shpjegosh me fjalë vetëm kur e shikon në terren se çfarë bëjnë njerëzit, dhe si bujqësia është e bazuar pothuajse në 50% të saj, se patjetër toka luan një rol shumë të rëndësishëm, po 50% e saj ka të bëjë me mundin e njerëzve, angazhimin e tyre dhe lidhjen që kanë me tokën”.

Mbështetja për fermerët, por edhe pikat e grumbullimit për të krijuar lehtësira në eksport, mbetet një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë Shqiptare për të nxitur zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori kaq të rëndësishëm për ekonominë kombëtare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat