Kryeministri Edi Rama u pyet në Spanjë nëse po dështon marrëveshja me Italinë për emigrantët, por kreu i qeverisë u përgjigj duke thënë se për këtë duhet të pyesni Melonin.
Sipas kryeministrit Rama roli i Shqipërisë në këtë marrëveshje është shumë i thjeshtë, duke theksuar “se i është kërkuar nga Italia për ta ndihmuar”.
Kreu i qeverisë theksoi se çdo gjë që ndodh me këtë marrëveshje duhet pyetur pala italiane, pasi është një operacion 100% nën vëzhgimin italian.
Ndërsa i pyetur nëse mund të bëhet e njëjta marrëveshje edhe me Spanjën, pasi Shqipëria të bëhet anetare e BE, Rama u përgjigj: “Nuk jam i sigurt që do të kishte shumë kuptim sepse lidhet shumë me gjeografinë”.
Pyetje: Javën e kaluar drejtësia italiane refuzoi për herë të tretë të zhvendosë emigrantët nga Italia në Shqipëri. Do doja të dija se cili është mendimi juaj për këtë dhe pse duket sikur plani po dështon?
Rama: Nuk kam asnjë mendim për këtë dhe pyetja duhet t’i drejtohet simotrës sime italiane, pra simotrës së Italisë, Georgia Meloni sepse për ne, të qenit pjesë e kësaj marrëveshjeje është shumë e thjeshtë, është një rol shumë i thjeshtë.
Na u kërkua nga Italia të ndihmojmë dhe kur Italia kërkon, ne ndihmojmë gjithmonë sepse marrëdhënia jonë është mijëvjeçare.
Ne i detyrohemi shumë Italisë, sidomos për atë çfarë Italia ka bërë pas rënies së komunizmit e që na ka ndihmuar shumë në momente tejet dramatike. Së fundmi, por jo nga rëndësia, kur patëm tërmetin shkatërrues, trupat italiane të emergjencave civile erdhën dhe rrezikuan jetët e tyre për të shpëtuar njerëzit nga rrënojat, kështu që ata na e kërkuan këtë dhe e ndihmuam, siç mendoj çdo vend europian, çdo komb europian duhet të ndihmojë tjetrin apo duhet të ndihmojë njëri-tjetrin.
Është një operacion që është 100% nën vëzhgimin dhe përgjegjësinë italiane. Dy qendrat kanë tipare extra-territoriale ndaj siguria, lëvizja, trajtimi, aspekti ligjor gjithçka është italiane. Kështu që, do duhet të pyesni palën italiane, jo ne.
Pyetje: Ju nuk mendoni se është e mundur që keni një marrëveshje të tillë me Spanjën kur Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së?
Rama: Nuk jam i sigurt që do të kishte shumë kuptim sepse lidhet po kështu shumë me gjeografinë. Në qoftëse e keni idenë e pozicionit gjeografik të dy vendeve, ne jemi njerëzit thonë të ndarë por unë them jemi të bashkuar nga deti me Italinë dhe e vetmja gjë që e bën këtë marrëveshje të arsyeshme është se migrantët nuk ndalojnë në Itali sepse po të ndalojnë në Itali hyjnë në territorin e Bashkimit Europian dhe vihen në lëvizje procedura të tëra, por ata ndalojnë në Shqipëri dhe sa e bëshme do të ishte për Spanjën që të ndalonin në Shqipëri, nuk e shoh këtë gjë të mundshme dhe nuk mendoj që në fund të fundit, kjo është zgjidhja përfundimtare e krizës kufitare europiane dhe të krizës së emigracionit sepse Europa besoj deri më tani gjendet në një pozicion të vështirë. Nga njëra anë, i duhet të merret me shumë emigracion të paligjshëm dhe me një porozitet shumë shqetësues të kufijve të vet dhe nga ana tjetër i duhet që të përballet me një rënie demografike dramatike.
Kështu Evropës i duhet të luftojë emigracionin, por ka nevojë për gjithmonë e më shumë emigrantë. Si zgjidhet kjo? Nuk më takon mua të jap leksione apo të këshilloj askënd, por besoj që pikë së pari, kjo nuk është çështje në shërbim të gatimit politik të mishit, pra kush tregon më shumë muskuj kundër emigrantëve, kush është më i vendosur të sprapsë, kush është më i djathtë, kush është më i majtë, kush është më kështu dhe kush është më ashtu sepse kjo është gjëja më e rrezikshme që po i bëjmë vetes në Evropë, duke kthyer diçka që ka të bëjë me menaxhimin e kufijve dhe menaxhimin e forcës së punës në një luftë kulturore dhe kjo mund ta shkatërrojë shpirtin e Europës.
Kështu që, për aq kohë sa nuk ka një politikë të përbashkët për këtë, përtej së majtës, përtej së djathtës, përtej interesave zgjedhore, përtej nevojës për të marrë më shumë vota dhe për të ndezur frikën në stomakun e njerëzve për t’i marrë këto vota, Evropa do të jetë në telashe.
Nëse Evropa e tejkalon këtë dhe do të bëjë diçka shumë më gjithëpërfshirëse, sigurisht, duke kontrolluar kufijtë shumë më me vendosmëri, por edhe duke u hapur ndaj emigracionit të ligjshëm, duke krijuar një mënyrë shumë ndryshe për t’u marrë me vendet e origjinës dhe kështu me radhë, atëherë do të jetë një fitore e madhe për Evropën dhe për brezat e ardhshme. Në të kundërt, nuk e di, do të jetë shumë e vështirë.