Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj mori pjesë në ceremonitë e parashikuara me rastin e akordimit të çmimit Premio Espanol Universal 2024 për Javier Cremades, avokat, kryetar i Shoqatës Botërore të Juristëve (WJA) dhe kryetar i firmës ligjore Cremades & Calvo – Sotelo, në njohje të kontributit të tij të shquar për promovimin ndërkombëtar të Spanjës dhe komunitetit ligjor spanjoll.
Javier Cremades është spanjolli i parë që drejton Shoqatën Botërore të Juristëve. Në këtë rol, ai ka luajtur një rol kyç në promovimin e shtetit të së drejtës në shkallë globale. Po ashtu, ai ka udhëhequr në mënyrë aktive organizimin e ngjarjeve të dedikuara këtij qëllimi, siç është Kongresi Botëror i Ligjit, duke e konsoliduar kështu Spanjën si një pikë referimi ndërkombëtare në fushën e drejtësisë.
Në kuadër të ceremonive për akordimin e këtij çmimi është zhvilluar një audiencë me Mbretin e Spanjës, Madhërinë e Tij, Felipe VI.
Gjatë audiencës është nënshkruar në një ceremoni të posaçme marrëveshja “Kongresi Botëror i Ligjit 2027”, i cili do të zhvillohet në Tiranë, për të mbledhur së bashku ekspertë nga e gjithë bota, si një mundësi e shkëlqyer për shkëmbimin e njohurive, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe promovimin e vlerave demokratike të shtetit të së drejtës.
Po ashtu, ceremonia e dhënies së çmimit është përshëndetur edhe nga Stephan Harbarth, kryetar i Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane, si dhe nga figura të tjera të shquara nga fusha juridike, biznesi dhe kultura.
Në fjalën e saj për këtë rast, Zaçaj duke shprehur mirënjohjen dhe përgjegjësinë e shtetit shqiptar për të mirëpritur dy Kongrese shumë të rëndësishme për drejtësinë europiane dhe botërore në vitin 2027 – Kongresin e Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane dhe Kongresin Botëror të Ligjit 2027 – tha se të dyja këto kongrese do të shënojnë jo vetëm një gur kyç në rrugëtimin e vendit tonë, por do të shërbejnë edhe si një platformë e dialogut ndërkombëtar për ligjin dhe drejtësinë.