Faqe denigruese me foto dhe video intime, “administratoret” ishin dy vajza 17 dhe 19 vjeçe! Ndalohen nga policia

Shqipëria

Faqe denigruese me foto dhe video intime, “administratoret” ishin dy vajza 17 dhe 19 vjeçe! Ndalohen nga policia

Më: 7 shkurt 2025 Në ora: 20:56
Ilustrim

Pas hetimit lidhur me faqen e ‘Instagramit’ ku publikoheshin foto, video intime dhe të dhëna me fjalë denigruese për adoleshentët, policia ka arritur të identifikojë dy vajzat “administratore”.

Policia thotë  se nga hetimi intensiv, u identifikuan dhe ndaluan dy vajza, për veprën penale “Pornografia me të mitur”, të cilat ishin të përfshira në këtë veprimtari kriminale:

Bëhet fjalë për P. M, 19 vjeçe, banuese në Korçë, administratorja e profilit të krijuar në rrjetin social Instagram, ku publikoheshin materiale me përmbajtje bullizuese dhe denigruese.

Si dhe një 17-vjeçare, banuese në Korçë, e cila është identifikuar si person përgjegjës për aplikacionin “Tellonym”, i lidhur me profilin e Instagramit.

Për tre ditë adoleshentët e Korçës u terrorizuan nga një faqe “Instagrami”, e cila bullizonte, denigronte dhe publikonte materiale pornografike të tyre.

Pas denoncimit të bërë nga një oficere e sigurisë në një prej gjimnazeve të Korçës, Sektori kundër Krimit Kibernetik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit nisi hetimet për rastin dhe identifikimin e administratorëve të faqes.

Nën objektivin e sulmit të administratorëve anonimë të faqes e cila që në emër ishte denigruese, ishin vendosur nxënës të shkollave të mesme por edhe 9 vjeçare të qytetit. Disa nga adoleshentët e moshës 14-18 vjeç të cilët u bënë objekt i sulmit treguan se faqja ekziston prej disa vitesh dhe në mënyrë periodike është hapur dhe mbyllur.

Sipas tyre ndryshe nga herët e tjera tani përveç postimeve me emra dhe mbiemra me përmbajtje denigruese ka patur edhe video dhe foto me përmbajtje pornografike.

Vetëm në 3 ditët e fundit ka pasur më shumë se 20 adoleshentë të dëmtuar nga sulmi kibernetik përmes kësaj faqeje, e cila tashmë është mbyllur.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat