Blushi: Të gjithë në shesh. Tirania do të përfundojë nën këmbët e popullit të Lirisë!

Shqipëria

Blushi: Të gjithë në shesh. Tirania do të përfundojë nën këmbët e popullit të Lirisë!

Më: 8 shkurt 2025 Në ora: 12:47
Tedi Blushi

Sekretari i Përgjithshëm i PL Tedi Blushi, iu bëri thirrje shqiptarëve që të bashkohen në protestën e pasdites së sotme të thirrur nga opozita.

Nga selia qendrore e Partisë së Lirisë, ftoj të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriotë, nga Tropoja në Sarandë, të bashkohemi sonte në Tiranë, në protestën më të fuqishme që ka njohur ndonjëherë vendi, në ora 17:00, para Këshillit të Ministrave, selisë qendrore të organizatës mafioze, siç e provoi me dokumenta zyrtare edhe ish-krahu i djathtë i Edi Ramës, Arben Ahmetaj.

Ta kthejmë sonte 8 shkurtin, në ditën e solidaritetit dhe e forcës së shqiptarëve të ndershëm dhe patriotë, në ditën e revoltës qytetare ndaj Edi Ramës që premtoi luftë kundër krimit por instaloi Narkoshtetin e parë në Europë, që e shndërroi vendin në parcelë kanabisi, që premtoi 700 mijë vende pune por që dëboi në emigrim mbi 1 milion shqiptarë, që premtoi qeverisje me duar të pastra por që në 12 vite vodhi përbindshëm taksat me aferën e inceneratorëve, portit të Durrësit, TEC-eve lundruese, me koncensione e PPP korruptive, me miliona tendera sekretë dhe me rrugë të “florinjta” dhe që sot zhgërryhet si derr në luksin e ndërtuar mbi gjakun dhe djersën e qytetarëve të thjeshtë.

Të bashkohemi sonte kundër armikut më të egër të lirive dhe të drejtave të njeriut, që nëpërmjet patronazhimit kërcënon qytetarët me bukën e gojës dhe që nëpërmjet dhunës dhe strukturës kriminale SPAK e shndërroi Shqipërinë ndër të paktat vende në botë me të burgosur politik.

Të bashkohemi kundër vjedhjeve që për nga dëmet në buxhet tejkalojnë edhe fuqitë natyrore.

Të protestojmë për 791 mijë pensionistë në mbarë vendin, që mezi shtyjnë ditët me pensionet mizerabël, ndërkohë një shishe verë që pi në ditë Kreu i Organizatës Kriminale është e barabartë me 14 vite pension minimal.

Të protestojmë kundër premtim-mashtrimit të shëndetësisë falas por që sot shqiptarët paguajnë nga xhepi për shëndetësinë 60% më shtrenjtë se qytetarët e vendeve të rajonit, ku në spitale humb jetën në pamundësi për të blerë ilaçet dhe kur ndërkohë vetëm për detoksimin nga droga Edi Rama shpenzon 10 mijë euro në javë.

Të bashkohemi kundër falimentimit të Shqipërisë nga borxhet që ka marrë Kreu I Organizatës Kriminale, jo për të hapur vende të reja pune dhe as për të rritur mirëqenien e qytetarëve, por për të vjedhur nëpërmjet tyre, aq sa sot edhe një bebe e porsalindur e ka sot në krevatin e lindjes një faturë borxhi që duhej të paguajë prej 5634 euro për banor.

Të bashkohemi kundër rrënimin të bujqësisë dhe vjedhjes së fondeve të femerëve por edhe rrënimit të sistemit arsimor, që po prodhon analfabetë funksionalë.

Koha e ndryshimit ka kaluar me kohë! Tani është koha për përmbysje!

Sot e gjithë Shqipëria duhet të jetë në Tiranë për të tronditur nga themelet Narkoshtetin që mbahen në këmbë nga paterica SPAK, që kërkon të grabisë zgjedhjet duke burgosur dhe arrestuar liderët e opozitës.

Tirania sot duhet të marrë përgjigjen që meriton. Ndaj ftojmë të gjithë qytetarët të flasin sonte me praninë e tyre, me forcën dhe me fuqinë e dinjitet të tyre." tha Blushi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat