Kordinatori i PD për qarkun e Tiranës, Klevis Balliu, në një intervistë për Syri TV me moderatorin Bledi Marku, tha se mijëra protestues do t’i bashkohen protestës së sotme për arsye të skandaleve të rënda që janë zbardhur së fundmi.
Ai tha se qytetarët do t’i bashkohen protestës për arsye se shumë miliona lekë po i vidhen nga pushtetarët të cilët i përdorin për luksin e tyre vetjak.
“Kjo protestë është një vazhdimësi e aksionit të opozitës. Duke marrë parasysh ngjarjet e rënda më në fund janë shpalosur se për çfarë janë përdorur 30 mijë euro, një shishe verë faktikisht një gllënkë sa njëzet pensione.
Miliona lek të qytetarëve shqiptarë kanë shkuar për jetën luksoze të qeveritarëve. Në bazë të kësaj transparence të re që ka dalë faktike, në Shqipëri është jetike për ne si komb, si popull dhe si shtet, që ne të tregojmë se jemi si qytetarët me dinjitet që nuk pranojmë të thyhemi dhe të vidhemi në këtë formë barbare.
Në kuadër të këtyre çështjeve të reja të dala, është jetike aksioni i opozitës i cili është vazhdimësi e asaj që ju me të drejtë e quani mos bindje civile, pa diskutim ka momentet e saj të këqija, por në çdo orë që kalon ka gjetur mbështetje të gjerë nga qytetarët.
Kjo protestë do të jetë me një pjesëmarrje masive, e cila do të çojë një mesazh të qartë në të gjitha vrimat e pushtetit dhe vrimat ku janë fshehur pushtetarët e korruptuar, që ta kenë të qartë se tallavaja e tyre ka mbaruar. Dhe është koha për një Shqipëri tjetër, ndryshe, për një Shqipëri që merret me problemet dhe çështjet e qytetarëve e të shtetit dhe jo të një grushti pushtetarësh.”