Protesta e blegtorëve në Gjirokastër dhe Sarandë! Ankohen se grumbulluesit kanë ulur çmimin me të cilin marrin qumështin

Shqipëria

Protesta e blegtorëve në Gjirokastër dhe Sarandë! Ankohen se grumbulluesit kanë ulur çmimin me të cilin marrin qumështin

Më: 8 shkurt 2025 Në ora: 15:53
Foto ilustrim

Blegtorët e qarqeve të Gjirokastrës dhe Sarandës kanë dalë sërish në protestë sot në hyrje të aksit Kardhiq-Delvinë tek Ura e Kardhiqit.

Ata kanë kërkuar mbështetjen e institucioneve për mbikëqyrjen e çmimit të qumështit në  këtë sektor jetik për ekonominë lokale. Sipas blegtorëve baxhot që grumbullojnë dhe përpunojnë qumështin e kanë ulur ndjeshëm çmimin e grumbullimit  nga 170 lekë/litër në 130-140 lekë/litër  duke i çuar prodhuesit dhe blegtorët drejt falimentimit.

“Ne jemi një grup blegtorësh  nga dy qarqe, Gjirokastra dhe Saranda, problem ynë emergjent është çmimi i qumështit, siç e kemi bërë edhe vitin e kaluar  dhe këtë vit po të njëjtën gjë kemi, baxhot luajnë me fatin tonë, e kanë ulur qumështin  300 lekë, d.m.th. nga djersa jonë dhe mundi ynë kërkojnë që të përfitojnë 4-5 veta. Të vijnë të na takojë për hallin tonë sepse është problem jetik për ne, çfarë do të bëhet me ne kështu do të luajnë baxhot me ne, ku shkon qumështi ynë, ata duhet ta formalizojnë këtë ekonomi, baxhove t’ju kërkojnë llogari,  të punojnë me fatura  punojnë ata me ne si këta që shesin çamçakëzë në rrugë”, thotë blegotori.

“Ne vit për vit këtë punë kemi, erdhëm edhe vitin e kaluar , edhe barxhot  luajnë me njëri-tjetrin 200 lekë,  përse duhet të luajnë kështu, ka dalë  Ministria e Bujqësisë të japë një garanci për djathin  me sa është dhe sa duhet marrë qumështi dhe sa duhet të marrë çobani, ne punojmë për tregëtarët  nuk punojmë për vete”.

“Ne jemi pensionistë dhe shkojmë me bagëti sepse nuk kemi me se të blejmë ilaçet. Unë  jam 76 vjeç dhe vete njeriu me bagëti në këtë moshë,  në shi, dëborë dhe të ftohtë,  na kanë mashtruar prandaj të merren masa”

Edhe gjatë vitit të kaluar  blegtorët e Jugut kërkuan në protesta rritjen e subvencioneve për  mbarështimin e tufave të imëtave.

I gjithë sektori blegtoral është i përfshirë nga një nivel i lartë informaliteti. Shitja e qumështit në punishte e barxho ndodh pa kontrata të rregullta dhe pagesat kryhen me lekë më dorë për 90% të blegtorëve. E njëjta problematikë lidhet edhe me tregun e mishit të të imëtave. Blegtorët nuk kanë mundësi për të marrë vulat veterinare për produktet e mishit dhe therja e shitja e të imëtave ndodh jashtë sistemit të thertoreve.

Vetëm në rrethin e Sarandës numri i krerëve është reduktuar në 10 vjeçarin e fundit nga 200 mijë  në 120 mijë krerë ndërsa edhe cilësia e kullotave prej mos rigjenerimit nuk është në gjendje të suportojë këtë ngarkesë.

Blegtorët paralajmëruan sot se do të përshkallëzojnë protestën e tyre ndërsa në datën 18 shkurt do të ketë një tubim përpara Ministrisë së Bujqësisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat