Ilir Meta mesazh nga burgu: Dëshmia e Ahmetajt provoi se shteti është një organizatë kriminale

Shqipëria

Ilir Meta mesazh nga burgu: Dëshmia e Ahmetajt provoi se shteti është një organizatë kriminale

Më: 8 shkurt 2025 Në ora: 18:59
Foto ilustrim

Edhe pse aktualisht në burg, ish-Presidenti i Republikës dhe kreu i PL, Ilir Meta ka shprehur mbështetjen e tij dhe ka dhënë një mesazh për protestuesit e opozitës gjatë protestës së sotme përmes një mesazhi zanor të transmetuar para turmës.

Në mesazhin e tij, Meta përshëndeti protestuesit, duke i quajtur ata “qëndrestarë dhe patriotë që protestojnë kundër narkoregjimit”. Ai e përshkroi dëshminë e Arben Ahmetajt si historike, pasi sipas tij, Ahmetaj ofroi prova të forta se si shteti shqiptar është shndërruar në një organizatë kriminale, me Edi Ramën si kryetar të saj.

Përveç kësaj, ai e cilësoi Ramën si një “kusar” që, sipas tij, ka sjellë diskriminim për pensionistët dhe i ka ofruar vetëm “bonusin e mjerimit”. Meta ngriti pyetjen pse pensionet në Kosovë, me një buxhet më të vogël se Shqipëria, janë dy herë më të larta, duke sugjeruar se shkak është menaxhimi i keq i financave të shtetit nga ana e Ramës.

Ai përfundoi duke akuzuar Ramën se ka abuzuar me fondet publike, duke i kanalizuar ato në projekte të dyshimta si inceneratorët që, sipas Metës, nuk ekzistojnë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat