Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u ka bërë sërish sot apel qytetarëve në të gjithë vendin, që t’i bashkohen nismës për dhurimin e gjakut përmes njësive lëvizëse, të cilat do të jenë të pranishme në çdo qytet gjatë gjithë muajit shkurt.
Ministrja Koçiu, përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se “njësia lëvizëse e dhurimit të gjakut këtë javë ka qenë pranë qytetarëve në bashkitë Kamzë, Rrogozhinë, Përrenjas, Elbasan dhe Bulqizë. Falë solidaritetit dhe humanizmit tuaj, dhjetëra pacientë do të kenë një shans më shumë për jetën”, pohon Koçiu.
Ministrja u kujton qytetarëve se duke nisur nga e hëna, ekipi i njësive lëvizëse të dhurimit të gjakut do të vijojë misionin në bashkitë Peqin, Cërrik, Lezhë, Belsh, Gramsh dhe Librazhd.
“Çdo pikë gjaku është një mundësi për jetë, bëhu pjesë e këtij akti fisnik”, apelon Koçiu.
Më herët, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është shprehur se “nga janari deri në dhjetor 2024, numri i dhurimeve ka arritur në 7386, një kontribut i jashtëzakonshëm për jetët që varen nga ne. Duke shtrirë kujdesin dhe solidaritetin në çdo cep të Shqipërisë, të gjithë kemi mundësinë të japim kontributin tonë për ata që kanë më shumë nevojë”.
Me mijëra jetë shpëtohen nga dhurimi vullnetar i gjakut, që nga të aksidentuarit, deri tek pacientët me talasemi, të cilët duhet të marrin gjak çdo dy javë përgjatë gjithë jetës së tyre. Dhurimi i gjakut çdo gjashtë muaj, mund të zvogëlojë mundësinë për sëmundje kardiovaskulare deri në 90%.Çdo dhurues gjaku, si edhe ata periodikë, përfitojnë kryerjen e disa testimeve falas si: gjak komplet; transaminazat ALT; konfirmimin e grupit të gjakut dhe Rh; testim për Hepatit B, C, HIV, sifiliz, etj. Për dhuruesit periodikë, përveç testimeve të sipërpërmendura kryhen edhe disa ekzaminime shtesë si, glicemia, kreatinemia, proteinemia, kolesterolemia, trigliceridemia dhe feritinemia.