Nga data 17-23 shkurt do të zhvillohen Karnavalet e Shkodrës, një aktivitet që do të sjellë spektakël për qytetin. Përgatitjet kanë nisur prej disa ditësh dhe nga organizatorët premtohet një ngjarje madhështore në rrugët e Shkodrës.
Drejtoresha e Kulturës pranë bashkisë Shkodër, Sara Smaja tha se kjo javë do të jetë e mbushur me aktiviteteve festive në rrugët e qytetit.
Nga e hëna e 17 shkurtit që shënon edhe ditën e parë të karnevaleve, protagonizmin do ta marrin fëmijët e shkollave të qytetit, të cilët me personazhe do t’i japin ngjyra kësaj feste, ndërkohë që surprizë këtë vit do të jenë butaforitë të cilat janë ndryshe falë edhe bashkëpunimit që bashkia e Shkodrës ka krijuar me qytete nga Italia, të cilat do të sjellin modele spektakolare dhe forma të mëdha në rrugët e qytetit.
Nuk do të mungojnë maping në godinat e qytetit dhe koncertet e mëdha në sheshin para Bashkisë Shkodër dhe në sheshin “Nënë Tereza” ku do të jetë edhe epiqendra e ditës së 23 shkurtit, me djegien e dordolecit.