Në intervistën e tij dhënë për gazetën spanjolle “La Razón”, Rama ka folur edhe për raportet me Rusinë apo Kinën.
Sipas tij, Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që pas regjimit komunist nuk ka bërë asnjë vizitë të nivelit të lartë në Moskë dhe as ka pritur ndonjë mysafir nga Rusia.
Kryeministri Rama deklaroi se Shqipëria nuk ka orekse për para ruse dhe për asgjë tjetër përveç letërsisë, muzikës dhe kulturës ruse, gjë që është e mrekullueshme, tha ai.
“Nuk kemi marrëdhënie. Ne jemi i vetmi vend në Evropë, që nga rënia e regjimit komunist në vitin 1990, që nuk kemi pasur asnjë vizitor në Moskë dhe nuk kemi pasur kurrë një mysafir nga Moska. E kam fjalën në nivelin më të lartë. Dhe ne nuk kemi asnjë investim rus dhe nuk presim të kemi ndonjë. Kjo është për shkak të historisë sonë. Na duhej të jetonim me versionin më të keq të komunizmit sovjetik në Shqipëri (- duke iu referuar diktatorit Enver Hoxa). Kur të gjithë të tjerët kishin kthyer faqen dhe e lanë Stalinin pas në vitin 1960, ne ende e mbajtëm Stalinin si idhullin tonë. Pra, ne nuk kemi oreks për paratë ruse. Ne nuk kemi oreks për asgjë tjetër përveç letërsisë, muzikës dhe kulturës ruse, gjë që është e mrekullueshme. Politika ruse nuk do të thotë asgjë për ne dhe ne nuk duam të bëjmë asgjë me të”, tha Rama.
Sa i takon raporteve me Kinën Rama deklarois e Shqipëria është i vetmi vend në hemisferën perëndimore ku investimet kineze janë 0,1%.
“Ne nuk kemi investimet e tyre. Në aspektin ekonomik, marrëdhënia është shumë e vogël, absolutisht e parëndësishme për ekonominë tonë. Historia jonë me ta ka qenë një histori vëllazërimi shumë e ngushtë në momentin më të keq në Kinë, kur ata kaluan Revolucionin Kulturor, i cili u importua në masë të madhe në Shqipëri dhe që praktikisht e shkatërroi plotësisht vendin tonë në shumë drejtime. Kina nuk është Rusi, natyrisht, dhe ne kemi respekt të madh për të”, u shpreh Rama.