Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka shpërndarë një mesazh për bashkitë e vendit në lidhje me zgjedhjet e 11 majit.
Në një postim në rrjetet sociale, theksohet se nga monitorimi i kryer është vënë re vonesë në afishimin e listave të zgjedhësve në disa bashki.
Po ashtu nuk është raportuar ende informacioni për caktimin e QV-ve dhe procesi për njoftimin e zgjedhësve nuk ka nisur në shumicën e bashkive, proces i cili nuk ka nisur për shkak të mungesës së fondeve dhe modelit të njoftimit.
Afati i këtij procesi përfundon pas 1 muaji, 6 mars 2025.
KQZ ka konstatuar dhe vështirësi të hasur nga personat me aftësi të kufizuara.
Njoftim Për Bashkitë nga KQZ:
Duke marrë në konsideratë detyrimet që burojnë nga Kodi Zgjedhor, lidhur me publikimin e listave të zgjedhësve, njoftimin me shkrim të zgjedhësve dhe raportimin për vendndodhjen e qendrave të votimit (QV), është e nevojshme të merren masa të menjëhershme nga ana e bashkive për respektimin e afateve dhe kërkesave ligjore.
Nga monitorimi i bërë nga KQZ:
– Janë konstatuar vonesa në afishimin e listave të zgjedhësve në disa bashki.
– Ka vështirësi në aksesimin e zgjedhësve me aftësi të kufizuara.
– Informacioni për caktimin e QV-ve dhe njoftimi i zgjedhësve ende nuk është raportuar.
Procesi i njoftimit të zgjedhësve nuk ka filluar në shumicën e bashkive për shkak të mungesës së fondeve dhe modelit të njoftimit, ndërsa afati për përfundimin e tij është 6 mars 2025.
Për të adresuar problematikat e sipërcituara, KQZ i kërkon bashkive:
Të përfundojnë raportimin e caktimit të vendndodhjes së qendrave të votimit brenda afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor.
Gjithashtu, i kërkon Ministrisë së Brendshme lehtësimin e procesi të njoftimit të zgjedhësve për të siguruar që ky proces të realizohet brenda afateve ligjore.