Ermal Meta dhe bashkëshortja e tij e ndjerë, Silva, kanë trokitur disa herë në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur”, duke rrëfyer historinë e tyre dhe problemet e mëdha ekonomike, deri aty sa strehimi i tyre ishte bërë i pamundur dhe ata dy jetonin ku i zinte nata.
Ermali, për këtë jetë që bënte, fajësonte nënën e tij, se kjo e fundit nuk pranonte kurrsesi që nusja e saj të ishte Silva e ndjerë. Ermali e kërkonte përballjen me nënën, edhe publikisht, për t’i treguar asaj dhe gjithë shqiptarëve se dashuria e tyre triumfon mbi gjithçka.
Por, që nga data 3 janar, Ermali jeton me pikëllim pasi njeriu më i shtrenjtë, ajo që donte të kalonte jetën dhe për të cilën kishin thurur shumë ëndrra, ndërroi jetë krejt papritur gjatë natës në shtrat. Një lajm tronditës dhe njëkohësisht i pabesueshëm edhe për publikun.
Në emisionin “Me Zemër të Hapur” të autores dhe moderatores Evis Ahmeti, në News24 babai i vajzës ka deklaruar se nuk kishte qenë dakord që vajza e tij Silva të kishte një marrëdhënie me Ermalin sepse ishte e sëmurë dhe vuante nga epilepsia.
Babai shtoi se ai ishte i alkoolizuar dhe se nuk i jepte paratë për të blerë mjekimin. Sipas tij, nuk ishte e vërtetë që vajza e tij ishte 2 muajshe shtatzënë.
“Unë nuk doja që vajza ime, Silvana, të lidhte jetën me Ermalin sepse ishte e sëmurë. Ajo vuante nga epilepsia. Ermali ishte mashtrues, nuk ishte njeri i mirë. Ermali vinte shpesh tek shtëpia jonë, por unë nuk e pranoja sepse ishte i alkoolizuar. Vajza nuk ishte shtatzënë. Ermali nuk i jepte ilaçet për epilepsinë, sepse i merrte paratë për alkool,” përfundoi ai.