Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, radhën për t’u goditur nga SPAK e ka zv.kryeministrja Belinda Balluku të cilën e ka quajtur si të përfshirë në dosjen “5B”.
Berisha tha në Kuvend se Belinda Balluku po feston me shishe shampanje për burgosjen e Velaijt, por është zotuar në Parlament se kjo e fundit do të shkojë në qeli.
“Lubia e ka mendjen te thasë me para. Ku është sot ajo? Apo po feston, po hap shishe shampanje për burgosjen e Erion Veliajt. Jap fjalën e nderit se te Erioni do shkojë ajo, sepse zullumqare si ajo s’ka patur kurrë Shqipëria. I them që sot shko mblidh kriminelë, banditë, çfarë të duash, por ti nuk do të sosësh kurrë në këtë parlament më. Je një delikuente që nuk ke shok më. Tani është radha e saj”, u shpreh kreu i PD.
Më tej Berisha tha se: “A e morët sot mesazhin apo jo. A doni të ua sjell prap ju, të ua transmetoj se nuk e keni marrë vesh disa prej jush. I them Edi Ramës se nuk mund të fshihesh pas fustanit të Ajola Xoxës dhe as Erion Veliajt. Sepse populli i Tiranës ka protestuar 42 javë rresht te ajo bashki për arrestimin e tij. Po për turpin, turpin e atyre të cilët për të mbrojtur Edi Ramën, nuk e akuzojnë për 130 mln euro të zhdukura në inceneratorin e Tiranës. Më thoni mua si ndodh kjo.
Nuk e akuzojnë. Ku është ajo ‘5B’, sille këtu Belindën. Ku është ‘5B’. Nuk e akuzojnë për 5D, nuk e akuzojnë për vjedhjet monstruozë të taksave, të taksave antikushtetuese. Po pse e akuzojnë thoni ju? E akuzojë se Edi Rama i jep për detoks, e dini ju ca është detoksi, 10 mijë euro detoksi dhe i paguan paratë bashkëshorti i Alketa Vejsiut dhe kërcasin lejet nga jugu tek parku i Tiranës për bashkëshortin e Alketa Vejsiut.
Po detoksin nuk e bëri Erion Velaij. Detoksin e bëri Edi Rama. Me seanca, jo njëherë, por disa herë. Po ai tjetri që i paguante Edi Ramës, 12 chartera. Nuk ishte Erion Velaij me 12 chartera. Erion Velaij është një hajdut që përveç Ramës dhe Lubisë nuk ka shok në Shqipëri. Por nuk mund të tallet mercenar Dumani me qytetarët shqiptarë. Jo talljen nuk ta pranojmë ne. Ai harron, ai nuk e di se nga bashkia shkojnë atje poshtë qytetarët dhe e fshijnë”, tha kryedemokrati.