Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj është arrestuar të hënën me urdhër të Prokurorisë së Posaçme për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Ndaj tij Gjykata e Posaçme ka caktuar në mungesë masën e arrestit në burg. Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme gjykata ka caktuar masën e arrestit shtëpiak edhe për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxe, për të cilën rëndojnë të njëjtat vepra penale, ajo e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Në një intervistë në “Tirana Live” në ABC News, juristja Brizida Gjikondi, u shpreh se situata aktuale është e trisht, ndërsa nënvizoi se korrupsioni nuk duhet normalizuar në shoqëri.
“Kur sheh akuzën sheh me trishtim lidhjet e politikës me biznesin, kemi edhe një deputet që ka qenë e punësuar pranë bizneseve të bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë. Pra janë përpjekur të kapin edhe parlamentin, edhe ligjin. Bashkëshortja e zotit Veliaj thuhet që është jashtë Shqipërisë. SPAK po përdor të njëjtën skemë që ka përdorur me familjen Meta-Kryemadhi.
Mendoj që zoti Veliaj aty ku është të japë dorëheqjen, problemet e tij me gjykatën t’i zgjidhë ai. Është një skemë familjare e abuzimit, e presupozuar sa kohë nuk është vërtetuar. Mendoj që me zgjedhjet parlamentare të bëhen po në të njëjtën ditë edhe zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës. Nuk besoj se PS do të vazhdojë ta mbajë në kurriz, edhe pse Veliaj këto muaj u përpoq të bënte vetëmbrojtje…Sa kohë dikush ka abuzuar me pushtetin duhet të përgjigjet.
SPAK ka kohë që ka ftilluar “një plugim” të imoralitetit dhe korrupsioni. Nuk ishte e papritur Kemi një armatë të madhe…Por trishtimi i madh i shqiptarëve është që përballë kanë një opozitë të cekët, por edhe si rasti Veliajt që ndodhi sot me korrupsionin. Ra edhe teza e Berishës që thotë se Rama ka kapur drejtësinë…E kemi parë që politika nuk ishte mësuar që të kishim një drejtësi të pavarur. Kur u vura në dijeni për arrestimin e Veliajt, mendova që nuk është i largët arrestimi i Berishës dhe zotit Basha. Nuk është e largët dita e procedimit të zotit Berisha për 21 janarin apo edhe për Gërdecin…Skema e politikës shqiptare ka shkuar në mënyrë të ndërsjellë dhe nuk e ndan dot se ku fillon dhe mbaron e mira dhe e keqa”, tha ajo.