Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, gjatë një replike me kreun e Partisë Demokratike në Kuvend, tha se akuzat penale duhet t’i drejtohen Prokurorisë Speciale Antikorrupsion (SPAK).
Balla tha se “bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, deputeti nuk mban përgjegjësi për atë që thotë, me përjashtim të shpifjes. Ajo që unë thashë në fjalën e time, për fjalën e parafolësit, standardi është: kur ke një akuzë ndaj kundërshtarit, duhet ta shoqëroni me kallëzim penal. Shko para SPAK, Sali dhe sepse jemi të gjithë subjekt i kësaj prokurorie, bëje kallëzimin. Ndërkohë, që mos manipulo, mos lexo çdo gjë që të vë Albana (Vokshi – shën. i red.) përpara, se s’dihet nga i ka nxjerrë Albana. Shihemi në gjyq Sali”, tha Balla.
Ish-kryeministri Sali Berisha iu përgjigj duke e akuzuar Ballën si mashtrues.
“Ky mashtrues ka paditur Berishën që i ka dhënë tokë shtetërore – të shpronësuar nga italianët – dhëndrit. Ky është shpifës i ulët. Ajo tokë, në gazetën zyrtare të 1942, faktohet se nuk është shpronësuar kurrë dhe u takon atyre pronarëve”, u shpreh Berisha.
Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur sot në seancë plenare, ku në rend të ditës janë diskutimet për çështjet të evidentuara nga zgjedhësit.