Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa nesër para GJKKO për masën e sigurisë, caktohet ora

Shqipëria

Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa nesër para GJKKO për masën e sigurisë, caktohet ora

Më: 11 shkurt 2025 Në ora: 14:03
Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa dhe zyrtarë të tjerë në hetim nga SPAK do të dalin nesër para GJKKO për rivlerësimin e masës së sigurisë.

Përmes një njoftimi, GKKO bën me dije se seanca për të verifikuar kushtet dhe kriteret e caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit është caktuar me datë 12.02.2025, ora 08:30.

“Duke pasur parasysh interesin që ka në media dhe në publik procedimi penal nr. 27, i vitit 2024, regjistruar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të personave nën hetim Erjon Veliaj, etj…, ju njoftojmë se seanca e marrjes në pyetje për personat nën hetim Erjon Veliaj, Ajola Xoxa, Elman Abule, Gentjan Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi dhe Shkelqim Fusha për të verifikuar kushtet dhe kriteret e caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit është caktuar me datë 12.02.2025, ora 08:30”, bën me dije GJKKO.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u arrestuar këtë të hënë me kërkesë të SPAK.

Agjentët e BKH që mbërritën në ambientet e bashkisë Tiranë dhe i komunikuan masën e sigurisë kryebashkiakut. Më pas Veliaj u shoqërua drejt Bllokut të Sigurisë, 302, në rrugën “Mine Peza”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat