​Begaj në Mal të Zi, takime me përfaqësues të shqiptarëve në qeveri dhe parlament

Shqipëria

​Begaj në Mal të Zi, takime me përfaqësues të shqiptarëve në qeveri dhe parlament

Më: 11 shkurt 2025 Në ora: 16:36
Presidenti i Republikës Bajram Begaj

Gjatë vizitës zyrtare në Mal të Zi, Presidenti i Republikës Bajram Begaj zhvilloi takime me përfaqësues të shqiptarëve në qeveri dhe parlament.

Kreu i Shtetit diskutoi me ta për forcimin politik të faktorit shqiptar në Malin e Zi dhe zhvillimin ekonomik të komunave ku jetojnë shqitarët etnikë.

“Kënaqësi e veçantë të takohesha me zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Nik Gjeloshaj,

aktualisht përfaqësuesi më i lartë shqiptar në qeveri. Diskutuam për zhvillimet pozitive në forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve dhe shprehëm besimin se në fushën ekonomike dhe të ndërlidhjes infrastrukturore ka mundësi akoma të pashfrytëzuara që presin të konkretizohen në të ardhmen”, shkroi Presidenti Begaj në rrjetet sociale pas takimin me Gjeloshaj.

Po ashtu Presidenti Begaj zhvilloi në Ambasadën e Shqipërisë në Podgoricë, takime me përfaqësuesit e shqiptarëve në Parlamentin e Malit të Zi.

“Në ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Podgoricë, me një takim vëllazëror grup-deputetësh shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi. Diskutuam për faktorizimin politik të shqiptarëve në Malin e Zi dhe prioritetet e zhvillimit ekonomik nëpërmjet projekteve ndërkufitare të zonave ku banojnë shqiptarët etnikë”, shkroi Presidenti Begaj.

Presidenti i Republikës informoi edhe mbi takimin me nënkryetarin e Parlamentit Nikoll Camaj.

“Kënaqësi të takoja nënkryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, politikanin shqiptar me një eksperiencë të vyer, Nikoll Camaj. Ndamë bashkë mendimet mbi forcimin politik dhe ekonomik të shqiptarëve etnikë që jetojnë këtu, urë solide lidhëse mes dy popujve”, tha Begaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat