Në rastin e 105-vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet të Shqipërisë është organizuar ceremonia te Pallati i Brigadave.
I pranishëm në këtë ceremoni kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek arrestimi i Erion Veliajt.
Rama u shpreh: “Unë di që prezumimi i pafajësisë për një njeri të zgjedhur në kryet të detyrës është jo thjesht një detyrim ndaj tij si ndaj çdo individi nga ana e kujtdo që ka detyrë të trajtojë çështje që lidhen me drejtësisë, por edhe detyrim ndaj atyre që e kanë zgjedhur që të bëhet edhe puna për kontratën e zgjedhësit edhe puna e drejtësisë për të nxjerrë një proces të rregullt me standarde demokratike.
Deri sot kemi zgjedhur të mos komentojmë edhe kur kryetari i bashkisë së Tropojës është marrë nga zyra dhe është mbyllur në shtëpi. Në një qytet ku burimet njerëzore nuk janë të pafundme dhe i është ndalur të zbatojë kontratën e zgjedhësit sepse mbi të rëndon një akuzë, por pa gjyq. Mund të vazhdoj me raste të tjera , i kemi konsideruar lajthitje në objekt duke qenë të bindur që koha, reflektimi i brendshëm i institucioneve të reja, domosdoshmëria për të faktuar përpjekjen për drejtësi me standarde europiane do bëjë detyrën pa pasur nevojë të flasim. Por ajo që ka ndodhur dje, ka kaluar çdo limit, në raport me ndarjen e domosdoshme të pushteteve dhe domosdoshmërinë që një pushteti të zgjedhur ti japësh mundësisë të ushtrohet”, tha ai.