Shoqata për Autonominë Vendore ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me ndalimin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke e cilësuar atë si një veprim të papranueshëm në mungesë të një akuze të qartë dhe një vendimi gjyqësor të formës së prerë.
Në një deklaratë zyrtare, Shoqata thekson se ka qenë gjithmonë në mbështetje të respektimit të ligjit dhe ka inkurajuar bashkitë që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë. Megjithatë, ajo e konsideron të paprecedentë ndalimin e një të zgjedhuri vendor pa një vendim të plotfuqishëm apo pa u gjetur në kushtet e flagrancës.
“Është e papranueshme që për çdo hetim të merren masa paraprake që kufizojnë lirinë e një kryetari bashkie, pa një akuzë të qartë dhe një vendim gjyqësor që e justifikon këtë veprim”, thuhet në reagimin e Shoqatës për Autonominë Vendore.
Shoqata ka ngritur gjithashtu shqetësime për klimën e krijuar në qeverisjen vendore, duke nënvizuar se ka një qasje të pabalancuar dhe shpeshherë intimiduese ndaj kryetarëve të bashkive nga ana e institucioneve të drejtësisë. Sipas saj, kjo situatë cenon parimin e bashkëpunimit mes institucioneve dhe krijon pasiguri për funksionimin normal të pushtetit vendor.
Në përfundim, Shoqata apelon për respektimin e parimeve kushtetuese dhe garantimin e një mjedisi të paanshëm për funksionimin e bashkive në shërbim të qytetarëve.
Reagimi i plotë:
Shoqata për Autonominë Vendore shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me ndalimin e ushtrimit të detyrës për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, pa një akuzë dhe vendim gjykate të formës së prerë.
Ne kemi qenë gjithmonë për respektimin dhe zbatimin e ligjit dhe të gjitha bashkitë kanë bashkëpunuar në çdo rast të referuar përpara organeve të drejtësisë. Megjithatë, konsiderojmë të papranueshme që një i zgjedhur vendor të ndalohet në ushtrimin e detyrës së tij, pa u gjetur në kushtet e flagrancës apo pa një vendim përfundimtar gjyqësor.
Gjithashtu, shprehim shqetësimin për klimën e krijuar në institucionet e qeverisjes vendore, ku nga raportimet e vazhdueshme të kryetarëve të bashkive në mbledhjet tona, konstatohet një qasje e pabalancuar dhe shpeshherë intimiduese nga ana e zyrtarëve të SPAK ndaj përfaqësuesve të pushtetit vendor. Kjo situatë krijon një mjedis të pasigurt dhe cenon parimin e bashkëpunimit mes institucioneve.
Kjo qasje jo vetëm që pengon zhvillimin normal të punës në institucionet vendore, të cilat ofrojnë përditë shërbime thelbësore për miliona qytetarë, por gjithashtu krijon një precedent të rrezikshëm. Është e papranueshme që për çdo hetim të merren masa paraprake që kufizojnë lirinë e një të zgjedhuri vendor, pa pasur një akuzë të qartë dhe një vendim gjyqësor që e justifikon këtë veprim.
Shoqata për Autonominë Vendore apelon për respektimin e parimeve kushtetuese dhe të shtetit të së drejtës, si dhe garantimin e një mjedisi të drejtë dhe të paanshëm për funksionimin e pushtetit vendor.