Rama rëndon dozën e sulmeve ndaj Gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme

Shqipëria

Rama rëndon dozën e sulmeve ndaj Gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme

Më: 12 shkurt 2025 Në ora: 16:52
Kryeministri Rama në mbledhjen e grupit parlamentar socialist

Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama shtoi sot dozën e sulmeve ndaj Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme. Ashtu siç kishte paralajmëruar një ditë më parë, zoti Rama deklaroi se partia e tij nuk do të heshtë përballë shkeljeve flagrante të standarteve, mbrojtja e të cilave tha ai do të jetë në qendër të mandatit të ardhshëm, në rast të fitores së zgjedhjeve. Sipas tij ka shenja të qartë të një republike prokurorësh të cilat tha ai, duhen frenuar.

Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme rezultojnë sipas të gjitha sondazheve, të jenë institucionet që gëzojnë besimin më të madh të publikut. Edhe përmirësimi i pozicionit të Shqipërisë në vlerësimin e Transparency International, i përmendur dje dhe sot si sukses nga ana e kryeministrit Edi Rama, i detyrohet sipas raportit, po veprimtarisë së SPAK-ut.

Por arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, ka ndryshuar qartazi qëndrimin publik të shumicës. “As dje, as sot dhe as nesër, deri kur unë do të jem në krye të kësaj force politike të paktën, kjo forcë politike nuk do të marrë përsipër të japë pafajësi për askënd që hetohet nga drejtësia, por ama, ndryshe nga deri dje, sot e tutje kjo forcë politike nuk do të heshtë përballë shkeljeve flagrante të standardeve dhe brutalitetit të kujtdo qoftë”, deklaroi zoti Rama, gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar socialist.

Megjithatë në rastin e zotit Veliaj, zoti Rama nuk hezitoi të dilte në vlerësime lidhur me gjetjet e hetimeve të Prokurorisë. “Në atë roman 400 faqesh nuk ka prova. Ka vetëm një tregim shumë të ngarkuar dhe të ndërlikuar me gjithfarë lloj personazhesh shkak-pasojë, por nuk ka prova”, u shpreh ai.

Ndërsa më vonë në një postim në rrjetin social “X”, ai e konsideroi arbitrare burgosjen pa gjyq të kryebashkiakut, duke shkruar se gjykimi mund të vazhdonte në gjendje të lirë.

Kryeministri përmendi sërish sot, raste të personave të cilët siç tha ai janë frikësuar gjatë procesit të dhënies së dëshmive apo marrjes në pyetje: “Kur futesh atje, je në një republikë tjetër atje, domethënë kur futesh atje, ai që ke përballë vetëm se është prokuror ai është mbi ty dhe ti nuk je më qytetar i barabartë i republikës, po je një mish atje që mund të shqyesh sipas oreksit, të njërit e të tjetrit”.

Sipas tij kjo situatë tregon se pavarësia është e plotë, por se nga ana tjetër, janë shenja që abuzimi me pavarësinë është real. Ai deklaroi se ndërsa kërkohet luftë pa kompromis ndaj korrupsionit, nuk mund të pranohet abuzimi me njerëzit, me të vërtetën dhe standartet “dhe kur kam folur për republikë prokurorësh këtë kam pasur parasysh dhe këto janë shenja tanimë të qarta që duhen frenuar tani në bashkëpunim dhe me pozicion konstruktiv, patjetër pozicion konstruktiv”.

Kryeministri akuzoi Prokurorinë e Posaçme se sipas tij po vepron politikisht e balancuar në hetimet që ka ndërmarrë, duke përdorur tone të ashpra e madje paralajmëruese: “Është shumë e rëndë kjo! Shumë e rëndë! Shumë e rëndë! Edhe mos bëjnë gabim të vijnë të kërkojnë telefonin tim, se boll i kanë. Kanë mbledhur gjithë telefonat e Shqipërisë atje. Të shkojnë të merren me faktet”.

Zoti Rama deklaroi në fund të mbledhjes së grupit parlamentar se mandati i katërt, në rast të fitores në zgjedhje, do të jetë mandati i standarteve demokratike të drejtësisë.

Ai i mbrojti qëndrimet e tij dhe në dy postime të mëpasshme në rrjetin social “X”.

Ndërkohë në Gjykatën e Posaçme ka nisur që prej mëngjesit, seanca për masat e sigurisë ndaj zotit Veliaj, bashkëshortes së tij dhe sipërmarrësve të përfshirë në këtë rast. Ajo pati një ndërprerje disa orësh pasi avokatët kërkuan kohë të njihen me dosjet voluminoze./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat